Kalimi i Mesit tek Interi nuk është më thjesht një thashethem, teksa duket se klubi e ka seriozisht transferimin e tij. Argjentinasi është mjaft i acaruar me situatën tek Barcelona, veçanërisht me trajnerin aktual të skuadrës, Setien. Megjithatë Barça nuk mund ta përballojë një largim të 6 herë fituesit të Topit të Artë, prandaj drejtuesit kanë vendosur një klauzolë prej 770 milionë eurosh.
Sigurisht që Interi as që nuk do ta mendonte një transferim të tillë, por zikaltërit po planifikojnë diçka tjetër. Kontrata e Mesit mbaron në verën e 2021 dhe në rast se nuk bëhet rinovimi i kontratës atëherë lojtarit mbetet “i lirë”. Në këtë mënyrë Interit nuk do t’i kushtonte asnjë qindarkë për transferimin e tij.
Gjithashtu Interi kanë planifikuar një buxhet prej 260 milionë euro për të kënaqur kërkesat ekonomike të lojtarit. Mesit do t’i ofrohet një pagë prej 50 milionë euro për 4 sezone (200 milionë euro), shifër që e tejkalon gati dyfish pagën aktuale të Cristiano Ronaldos tek Juventusi. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/