Presidenti i FSHF: . Dhamë përgjigjen e duhur pas një periudhe të vështirë, por tani duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të shmangim euforinë, pasi ne asnjëherë s’do të jemi një skuadër e madhe, ndaj në çdo ndeshje duhet të tregohemi modest
Teksa pa skuadrën që kishte nevojë për mbështetje morale dhe psikologjike, mori avionin e parë dhe fluturoi drejt Stambollit, duke i mbajtur një diskutim prej 30 minutash dhe duke i treguar se duhet të gjenin forcën për të reaguar dhe kthyer skuadra e cila arriti kualifikimin historik dhe nuk dridhej përballë kujtdo… Armand Duka në rolin e një tifozi, teksa fliste, ndërsa të gjithë dëgjonin, përfshirë edhe trajnerin De Biazi. Dhe, siç duket, fjalët e tij, ose diskutimi i gjatë, nuk shkuan në vesh të shurdhër. Sepse, në Haifa, kuqezinjtë zhvilluan një ndeshje e denjë për të marrë faqet e para të kronikës, qoftë të gazetave politike, por sidomos sportive. Për një natë, u harrua politika. Kishim kohë që nuk e përjetonim. Armand Duka, pas ndeshjes së fituar, ishte i pari që vrapoi drejt dhomave të zhveshjes duke i thurur elozhe djemve dhe duke i thënë një “bravo” të madhe.
Teksa mbërriti në “Rinas” , në një prononcim për “Sport Neës” , Duka ka folur rreth situatës me trajnerin Xhani De Biazi dhe zërat për një largim të mundshëm nga Shqipëria. “Më pëlqeu gjithçka në atë ndeshje, më pëlqeu skuadra, më pëlqyen lojtarët, më pëlqyen tifozët, më pëlqeu reagimi, më pëlqeu dhe trajneri. Dhamë përgjigjen e duhur pas një periudhe të vështirë, por tani duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të shmangim euforinë, pasi ne asnjëherë s’do të jemi një skuadër e madhe, ndaj në çdo ndeshje duhet të tregohemi modest dhe pse ajo që pamë në Haifa ishte diçka shumë e bukur.”
Sakaq, mbi raportin me De Biazin: “Në media është folur shumë këto kohë por unë nuk dua t’i kushtoj rëndësi këtyre gjërave. Ne jemi të gjithë profesionistë dhe i respektojmë marrëveshjet deri në fund. Gjithsesi është diçka e mirë që De Biazi do të dalë dhe do të qartësojë shumë gjëra, pasi lojtarët janë njerëz dhe ndonjëherë ndikohen nga ato që shkruhen nëpër media. Megjithatë, e theksoj dhe njëherë tjetër, trajneri tregoi se di ta bëjë shumë mirë punën e tij. Nëse ka diçka të vërtetë mbi zërat që qarkullojnë për ndonjë ofertë për trajnerin nga një skuadër e madhe, do të ishte më mirë që të pritej deri në fund pastaj të flitej, pasi gjëja më e rëndësishme është Kombëtarja, më shumë se çdo individ duke filluar që nga unë e deri te punonjësi më i fundit”.