Duka, takim edhe me Malezanin!

0

Panuçi qëndron pas kuintave dhe pret… “nuk di asgjë ende, të shohim”. Zenga thuajse skarcohet si mundësi, ndërsa kontakti i radhës mund të jetë edhe Bepe Pilon. De Kanio, thjesht sondazh. Por, joshja Sedorf!

Nga Anton Cicani

Të paktën edhe tri ditë deri në përzgjedhjen e pasuesit të Xhani de Biazit. Aq i ka kërkuar vetes Armand Duka, presidenti i federatës shqiptare të futbollit, i cili pavarësisht se ka kontaktuar shumë trajnerë deri tani dhe thuajse të gjithë italianë, ka arritur në momentin final, atë për të vendosur. “Në korrik do të vendoset trajneri i ri”, shkruante në komunikatën e saj FSHF-ja, teksa korriku ka ardhur dhe pritet vetëm që të dalë tymi i bardhë, pra “habemus Papa”…

Ndërkohë, De Kanio ka qenë në Tiranë dhe është takuar personalisht me Armand Dukën, por nuk dihet se çfarë kanë biseduar mes tyre. Fakti është që listës së gjatë, që u “tkurr” në fund mes Zengës dhe Panuçit, i janë shtuar edhe dy emra të tjerë: bëhet fjalë për Alberto Malezanin. Prej kohësh pa skuadër, ish-trajneri i Parmës së çudirave, që ka drejtuar edhe në Greqi me Panathinaikosin, mund të ketë këto ditë kontakte me Armand Dukën. Vetëm pak muaj më parë, në një intervistë për mediet italiane, 63 vjeçari, do të shprehej se i mungonte shumë katërkëndori i gjelbërt, ndërsa gjithashtu se ishte interesuar më shumë për futbollin ndërkombëtar se sa atë italian. “Mezi pres të kthehem dhe stërvis”, citoi ai.

Eksperienca e fundit e Malezanit në pankinë ishte te Sasuolo, 3 vjet më parë. Praktikisht i zhdukur nga panorama futbollistike, ai ka shansin e artë dhe këtu nuk flitet për aspektin ekonomik. Ndërkohë, emri tjetër që i është këshilluar Dukës është Bepe Pilon, i cili ka drejtuar Alesandrian sezonin e fundit në Lega Pro, kategoria e tretë italiane. Pikërisht Pilon ka një përvojë të rëndësishme, duke qenë se ka drejtuar 20 skuadra të ndryshme dhe në tre kategoritë (Seria A, Seria B dhe Seria C).  Sakaq, Panuçi, i kontaktuar sërish dje nga “Sport Ekspres”, u shpreh: “Nuk di gjë, ende në pritje të përgjigjes së Dukës. Të shohim…”. Por, joshja Sedorf mbetet e fortë, saqë Duka ende pret.

Buxheti – Armand Duka ka vendosur një buxhet modest, por që ka të përfshirë bonuse të ndryshme brenda tij. Në fakt, nga ajo që ka mësuar “Sport Ekspres” prej kohësh flitet për 250 mijë euro bazë dhe një 50 mijë euro tjetër që do të jepej në rast të rezultatesh të mira në katër ndeshjet e mbetura të këtij edicioni të eliminatoreve të Botërorit 2018.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.