Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka zyrtarizoi dje kandidaturën e tij për një mandat tjetër në krye të Federatës së Futbollit. Tashmë, gara pritet të jetë një “mundje dore” me deputetin e PS-së, Bashkim Fino. Në datën 7 shkurt, në Asamblenë e Përgjithshme, do të zhvillohen dhe zgjedhjet, ku do të marrin pjesë edhe presidentët e klubeve të Superligës, Kategorisë së Parë dhe të Dytë, teksa edhe disa Shoqata Rajonale me të drejtë vote por edhe subjekte të tjera. Menjëherë pas zyrtarizimit të kandidaturës me një mesazh në adresën e tij personale në rrjetet sociale, kreu i FSHF-së ka dhënë edhe një intervistë për “Top Channel”.
President, si e morët vendimin për të rikandiduar në zgjedhjet e ardhshme dhe pse?
Ishte rezultat i një konsultimi me të gjithë komunitetin e futbollit. Kam pritur në njëfarë mënyre opinionet e tyre rreth kësaj çështjeje dhe kësaj teme, nëse duhet të vazhdoja për të drejtuar Federatën e Futbollit. Ka pasur shumë pikëpyetje, qoftë edhe në kokën time, duke pasur parasysh edhe opinionet negative rreth saj. Duke marrë më shumë kërkesa pozitive nga vet aktorët e organizatës vendosa që bashkë me ta të vazhdojmë për suksese të tjera, për ta zhvilluar edhe më shumë futbollin, për të korrigjuar ato gjëra që ndoshta bashkë kemi bërë keq apo kanë shkuar keq, si dhe për të vendosur një tullë pozitive për futbollin shqiptar.
Kur thoni “pikëpyetje”, cilat janë ato më të spikaturat?
Realisht pikëpyetjet janë ato që çdo njeri, apo shumë njerëz i kanë në kokat e tyre. Shumë vite, një njeri tjetër ndoshta me energji të reja, le t’i jepet mundësia dikujt tjetër… Dhe nuk është se nuk i kam menduar edhe unë këto. Por duke parë që nuk është se ka alternativa, të cilat do ta çonin edhe më shumë përpara futbollin, nuk është se ka projekte – sipas meje, – edhe më të mira, duke menduar raportet që kam krijuar me komunitetin për ta zhvilluar këtë organizatë janë pozitive dhe eksperienca që kemi krijuar bashkë mund ta ndihmojë futbollin shqiptar, më çoi në këtë vendim pozitiv.
Mendoni gjithashtu se nuk jeni ezauruar në idetë tuaja dhe në dëshirën për të bërë më shumë, si në aspektin sportiv, apo edhe atë infrastrukturor, ku përshtypja është se është arritur kulmi në këto vitet e fundit?
Janë bërë shumë gjëra dhe realisht ndryshimet e para duken edhe më lehtë. Ndryshimet e viteve të para në futbollin shqiptar konstatoheshin shumë lehtë, sepse ishim në një situatë pothuajse dramatike apo inekzistente, pa infrastrukturë, pa një organizatë të konsoliduar, pa klube konkurruese, pa një Kombëtare kompetitive. Ndërsa ndryshimet e tanishme janë ndryshime që, pasi ke arritur një stad goxha pozitiv, në të cilin unë e konsideroj futbollin shqiptar sot, është e vështirë që t’i dallosh. Megjithatë, duke pasur parasysh të gjithë eksperiencën dhe tërë këto punë që kemi bërë në këto vite, mendoj që do t’i japim përsëri disa ndryshime të dukshme futbollit shqiptar.
Gjatë kësaj periudhe, është një kohë relativisht e gjatë që drejtoni, ka shumë nga ata që ju mbështesin dhe shumë nga ata që kanë kritika. Shpesh ju kanë kritikuar më shumë sa iu përket dyshimeve të klubeve për trukime ndeshjesh, ndoshta edhe në arenën ndërkombëtare, apo herë pas here favorizimet ndaj Skënderbeut, Kukësit, apo skuadrave të ndryshme sa i përket titullit kampion.
Kjo është një garë publike, një lojë e dashur për të gjithë botën, madje më shumë në Shqipëri. Është pothuajse e vetmja lojë e ndjekur në Shqipëri. Por, siç e thashë, është një garë, ka emocione, ka shumë përplasje dhe patjetër që shpesh herë prodhon edhe konflikte. Shpesh herë cënon edhe interesa. Duke qenë në rolin e organizatorit, Federata Shqiptare e Futbollit patjetër që sulmohet, kundërshtohet shumë herë kur nuk realizon pritshmëritë e dikujt për garën. Ndoshta edhe për arsye subjektive apo objektive, për gjëra reale apo jo. Debate me anëtarët e Federatës së Futbollit, me anëtarët e familjes së futbollit janë të vazhdueshme, për arsye të vet natyrës që ka kjo garë, apo kompeticioni dhe kjo lojë. Por, në përgjithësi këto konflikte dhe kontradikta nuk kanë shkuar në antagonizëm dhe gjithsesi, përsëri zgjedhja ka qenë e njëjtë. Patjetër që sjell anëtarë të pakënaqur, nga të cilët prodhohen edhe alternativa të reja, që mund të sjellin edhe zhvillim. Por në përgjithësi, raportet me të gjithë anëtarët e komunitetit të futbollit kanë qenë pozitive.
Gjatë të gjithë kësaj periudhe ndoshta kulmi i reagimit ndaj ndeshjeve të trukuara ka qenë dënimi i Skënderbeut edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit. Mendoni se është bërë një përmirësim në këtë aspekt, sepse gjatë të gjithë kohës ka qenë një lloj gangrene?
Jo vetëm, dyshimi apo vërtetimi për manipulim të rezultateve të lojës nuk është një gjë që ka lindur në Shqipëri, apo që të ketë lindur sot. Është diçka që ka ekzistuar, një fenomen jashtëzakonisht shumë negativ, të cilin të gjithë aktorët e lojës duhet të bëjnë maksimumin për ta eliminuar. Duke qenë pjesë e këtij komuniteti të futbollit, kemi edhe këtë fenomen që është e të gjithë botës. Sot i mëshohet më shumë idesë se është produkt i një lloj trukimi për efekte financiare, dikur mund të ketë qenë për motive të tjera. Uroj që në të ardhmen të eliminohet, por dyshoj që do të eliminohet 100%. Ajo që mund të bëjmë ne është maksimumi i kontributit tonë për ta minimizuar, apo për të shkuar deri tek eliminimi, gjë që mendoj se ne e kemi bërë. Në Shqipëri ka filluar të lulëzojë shumë rreth 5 vite më parë, është luftuar goxha nëpërmjet ndryshimit të skemave të lojës për të futur sa më shumë elementë të garës dhe për të mos lënë mundësinë e tolerimit, apo siç i thonë shqip të lënies së ndeshjes, sepse trukimi është një fjalë shumë më e madhe. Kemi marrë të gjitha masat, qoftë edhe me penalizimin e aktorëve që bëjnë lënien e ndeshjeve, por nuk kemi arritur ta eliminojmë. Jemi ende pjesë e saj dhe vazhdojmë që ta luftojmë për të shkuar drejt eliminimit.
Në prag të zgjedhjeve, sheh atë që mund të bësh më mirë, ndoshta edhe duke kthyer kokën nga ato gjëra që nuk janë bërë mirë. Si është ky raport për ju dhe çfarë do të mund të bënit më mirë në 4-vjeçarin e ardhshëm?
Shumë gjëra janë bërë, jam i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm për atë çfarë kam bërë gjatë të gjithë kësaj periudhe në Federatën e Futbollit. Jam munduar të bëj më të mirën time, me maksimumin e energjive të mia, me përkushtimin maksimal. Duke qenë një aktivitet kaq i madh, duke qenë jo vetëm kompetitiv, por edhe organizativ, patjetër që ka edhe gabime, ka gjëra që duhen korrigjuar, apo që janë korrigjuar. Mendoj që kemi bërë shumë gjëra mirë dhe futbolli ka ndryshuar. Ka ndryshuar infrastruktura e futbollit shqiptar, e cila ka qenë në kushte të papranueshme për garat kombëtare dhe ato ndërkombëtare. Kampionati shqiptar luhej në fusha fare të papërshtatshme, madje ka qenë edhe një kampionat me sistem grumbullimi, një gjë që pothuajse nuk ekziston në asnjë vend të Europës. Ka qenë i paorganizuar mirë, shpërblimet për futbollistët kanë qenë shumë më të ulëta, për arbitrat gjithashtu. Të ardhurat e klubeve kanë qenë shumë më të vogla. Sot kemi hedhur një hap të mirë, kemi një përfaqësim shumë më të mirë ndërkombëtar, me ekipin kombëtar që arriti kulmin me pjesëmarrjen në Europianin e vitit 2016. Dhe jo vetëm me këtë, por me një ekip që mund të garojë kundër çdo ekipi në Europë dhe që pretendon për të shkuar edhe më lart. Realizuam një ëndërr që mendoja se nuk do të arrihej kurrë. Tashmë nuk pretendojmë më përsëritjen e kësaj ëndrre, por të shkojmë edhe më larg, të marrim pjesë në një kompeticion botëror. Të gjitha këto kanë ndryshuar dhe duhen konsoliduar, duhen bërë edhe më profesionale, në mënyrë që kjo lojë të jetë edhe më e bukur në Shqipëri.
Në këtë garë, pas shumë vitesh, një kandidat tjetër vjen nga politika. Kishte kohë që nuk ndodhte. Çfarë mendimi keni për këtë gjë dhe a i druheni ndërhyrjes së politikës në këtë aspekt?
Jam i prirur të mendoj gjithmonë pozitivisht dhe në këtë rast dua të mendoj pozitivisht. Besoj se nisma është një nismë private, e një individi të cilin unë e njoh, ashtu sikurse e njohin të gjithë sepse është një personazh i jetës publike shqiptare. Një ish-kryeministër, deputet i Partisë Socialiste, madje edhe Sekretar Organizativ i saj. Gjithsesi unë do të doja ta shikoja jo si një nismë të Sekretarit Organizativ të PS-së, por si nismë e Bashkim Finos dhe disa shokëve të tij që e mbështesin. Duhet ta shoh dhe dua ta shoh kështu këtë garë deri në fund. E konsideroj si një nismë pozitive, një dëshirë e tij për të kontribuar dhe për të dhënë eksperiencën e tij për menaxhimin e një institucioni, atij më të rëndësishëm të sportit në Shqipëri.
Për momentin mendoni se nuk ka ndërhyrje rrymash politike në këto dy personazhe?
Nuk mund të parashikoj, por thashë atë që unë dëshiroj të mendoj. Unë dëshiroj të mendoj që do të jetë një garë sportive, një garë alternativash, një garë për të dhënë më të mirën për komunitetin e futbollit. Se çfarë do të ndodhë në ditët në vazhdim, duhet të presim e të shohim.