Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, është në Iran, për të firmosur marrëveshjen e cila lidh ngushtë në një bashkëpunim intensiv në të ardhmen këto dy federata, duke konsistuar fillimisht me ndeshjet miqësore me të gjitha skuadrat kombëtare, organizimin e turneve miqësorë, shkëmbim të lektorëve mbi kurset e edukimit të trajnerëve. Federata Shqiptare e Futbollit dhe Federata Iraniane e Futbollit kanë arritur marrëveshjen dhe sot kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi në të gjitha fushat.
Marrëveshja parashikon edhe shkëmbim të arbitrave mes dy federatave, apo lektorëve të arbitrave, si dhe trajnime të stafeve të niveleve të ndryshme. Për faqen zyrtare të FSHF-së, pas kësaj marrëveshjeje, Presidenti Armand Duka citoi: “Jam i kënaqur në këtë vizitë zyrtare në Federatën e Iranit, por mbi të gjitha, për arritjen e një marrëveshjeje bashkëpunimi në shumë fusha mes FSHF-së dhe Federatës së Iranit. Duke shprehur angazhimin maksimal timin dhe të Federatës Shqiptare të Futbollit, së bashku me homologun tim, z.Taj dhe vetë Federatën iraniane do të nisim një bashkëpunim të ngushtë, që me ndeshjet miqësore me ekipet kombëtare dhe deri te shkëmbimi i eksperiencave, mes dy institucioneve në nivele të ndryshme. Shkëmbim shumë pozitiv eksperiencash që do të vlejë maksimalisht për futbollin e të dy vendeve”.