Elbasani, pas humbjes së pësuar me Turbinën, zbriti në vendin e fundit në klasifikim. Gjithsesi verdheblutë ende shpresojnë te mbijetesa në Kategorinë e Parë. Deri në fund kanë mbetur edhe katër ndeshje për t’u luajtur dhe gara është e hapur, pasi diferenca me cërrikasit dhe Tomorin është vetëm një pikë.
Kapiteni i Elbasanit, Endri Duka, thekson se do mbijetojnë në Kategorinë e Parë. Për SportEkspres.com ai deklaron se për transfertën e ditës së diel në Pogradec janë të motivuar, madje më shumë se kundërshtari. Liqenorët e kanë zgjidhur çështjen mbijetesë dhe luajnë pa presion.
“Elbasani ndodhet në një situatë të vështirë dhe duke qenë se kanë mbetur vetëm katër ndeshje deri në mbyllje të kampionatit, për ne do të jenë finale për të marrë maksimumin e pikëve. Në Pogradec ne shkojmë si në një ‘betejë’ dhe më shumë të motivuar se vendasit, të cilët kanë siguruar gjithçka”, u shpreh Duka fillimisht.
Më tej ai shtoi se për momentin me rëndësi është të arrihet objektivi dhe jo problemet e tjera në klub. “Më shumë interes në këto momente ka që Elbasani të luftojë për mbijetesë, problematikat e tjera besoj se e kanë kohën për t’u zgjidhur. Rëndësi ka që Elbasani të mbijetojë në Kategorinë e Parë”, përfundoi Duka.
AGRON KAJA