Duka: Disa kritika ndaj meje ishin reale, ja çfarë kam ndër mend!

0

Armand Duka, presidenti i saporizgjedhur i FSHF-së, në mandatin e tij të pestë, ishte sonte i ftuar në emisionin e gazetarit Sokol Balla, në Vizion Plus, “Real Story”, teksa për 40 minuta ka rrëfyer gjithçka në lidhje me fitoren në Asamble, rivalin Fino, politizimin e zgjedhjeve, kandidatët, problematikat e futbollit shqiptar, zgjidhja e tyre, Ligën por edhe kombëtaren dhe ambiciet…

Pjesa 2…

UEFA tha, politika t’i rrijë larg sportit. U duk si mbështetje individuale ndaj jush

Jo, mbështetje e parimeve që ka UEFA. Ajo përfaqëson parimet e rregullave dhe statuteve të organizatës. Parimi është që duhet të jenë të paanshëm. Në këtë rast ishte realitet një ndërhyrje politike për të deformuar realitetin sportiv. Ndërhyrje e gjithë makinës shtetërore, apo faktorëve që ndonjëherë bëhen vendimtare. Përpara ndërhyrjes politike, UEFA duhet të mbronte futbollin.

Do të ndërmerrni aksion legal?
Jo, nuk i preferoj, le t’i bëjnë të tjerët. Jemi për diskutim sportiv. Janë të tjerë ata që duhet të ndërhyjnë që të mos përfshihet politika në këto gara apo edhe duke ndikuar te të fortit.

Keni pasur telefonata nga UEFA dhe FIFA?

Sapo mbaroi votimi, më telefonoi presidenti i UEFA-s dhe i FIFA-s, apo edhe homologë dhe kolegë në Europë. Edhe politika, të majtë dhe të djathtë.

Në 16 vjet janë bërë trajnerë me licencë, ndërsa në vitin 2002 zero

FSHF nuk kishte të drejtë të jepte licenca, por me lektorët e UEFA-s e fituam në vitin 2004. E nisëm me nivelin e licencës “C”, me dëftesën e shkollës fillore dhe sot jemi te Liçenca “Pro”, pra diploma e një universiteti. Kjo është ndihmë për zhvillimin e futbollit në vend. Kemi akoma shumë për të bërë. Gjëja kryesore që duhet dhe që ka nevojë futbolli është sistemi i edukimit, jo vetëm nëpërmjet shkollës që ka federata, por ndikimit dhe marrëveshjes që FSHF duhet të bëjë me Ministrinë e Arsimit, Universitetet dhe Institucionit të Edukimeve, për të përgatitur edukatorë dhe mësues, jo vetëm trajnerë. Sot ekipet e futbollit drejtohen nga stafe që kurojnë shumë lojtarët. Nuk është koncepti si më parë.

“Arena Kombëtare” mbaron në fund të 2018, ndërsa firma thotë në 2019. E vërteta?

Nuk jam politikan që të bëj premtime, nuk jam as ndërtues. Kontrata thotë duhet të përfundojë në fund të vitit dhe thuhet se në mars duhet të luhet ndeshje

Administratori i firmës, kandidat në Komitet Ekzekutiv. Nuk tingëllon si konflikt interesi?

Jo, çdo njeri ka të drejtë. Ishin 23 kandidatë, mes tyre edhe zoti Spahiu. Aq më shumë se stadiumi është kompani në vete.

Takaj duartrokiti i pari, megjithatë. Mes jush dihet raporti…

Ai e ka të vështirë të nxjerrë duart nga xhepat, edhe kur flitet për fitoret e ekipit të tij… Nuk e besoj…

Titulli i hequr?

Vazhdon procesi i gjykimit, është zhvilluar seanca dëgjimore në CAS dhe nuk ka vendim.

Konfliktet e interesit: dy “pay per view”, por Superiorja shihet vetëm te njëra. Konflikt interesi dhe si mund të shmanget?

Ajo që bëjmë ne është më e mira për të ardhurat e FSHF-së, në bazë rregullave financiare dhe procedurave. Për momentin sot është një paketë tjetër, nesër mund të jetë një tjetër. Rëndësi ka që të ofrojë të ardhura dhe të plotësojë ato kritere të pasqyrimit real në kohë reale. Pse jo, mund të jetë çdo lloj platforme.

Baste, dënime dhunë, jo shumë tifozë, sezon i dobët në Superiore, por rezultate të mira me kombëtaren, sa i përket importeve. Keni firmën dhe vulën tuaj, në këto 16 vjeç. Çfarë pritet të ndryshojë?

Nuk ndryshon me një të rënë lapsi apo deklaratë gjithçka. Çdo ditë duhet një milimetër përpara për të shkuar drejt suksesit dhe zhvillimit. Ajo që kemi arritur deri tani janë shumë. Kanë qenë të vështira dhe është bërë shumë punë. Aq më shumë punë bëhet, aq më shumë gabime ka. Nëse nuk bën asgjë, nuk ke asgjë për të korrigjuar, sepse ke bërë pak. Duhet të minimizojmë gjithçka që cenon lojën. Nuk e bëjmë dot zero asnjë fenomen negativ. Ta minimizojmë po.

Premtimet që keni bërë, Liga Profesioniste. Si mund të bëhet Ligë Profesioniste kur shumica e klubeve janë nën Bashkitë dhe shumica e futbollistëve janë amatorë?

Liga Profesioniste apo Kategorisë është përfaqësimi i elitës dhe futbollit profesionist. Qëllimi është që të përfaqësojë dhe mbrojë interesat e një grupi eltar që ta mbrojë.  Synimi është të rritet niveli i sistemit të futbollit. Do të synoj ta realizojmë dhe të arrijmë në finalizimin e kësaj lige. Jam i bindur se do të përmirësojë atë produkt që sheh publiku. Por, nuk mohon të drejtën që në kategoritë e tjera të krijohen liga të tjera…

Talentet shqiptare, luajnë në Akademi të huaja se sa nën vëmendjen e federatës. Kur sheh kombëtaren ia lëmë aftësive manaxheriale se sa futbollistike. Nuk ka produkte.

Çdo vit shohim produkte nga klubet shqiptare, që luajnë me moshat dhe ekipin A. Europa Perëndimore, më lart se ajo Lindore.

Por, traditë kemi pasur, sidomos para viteve ’90?

Sigurisht, por pas viteve ’90 grafiku ishte në rënie. Në fillim të viteve 2000 thuajse nuk ekzistonin ekipet zinxhir apo akademitë, sot janë të organizuar dhe kanë ekipet zinxhir dhe akademitë. Ka edhe shumë akademi të tjera që nuk kanë ekip në Kategorinë e Parë, por kanë fëmijësh dhe kualitet të pëlqyeshëm. Duhet të ketë më shumë, por është mënyra se si ne e edukojmë në sistem trajnimi. Duhet rritur steka vit pas viti dhe zvogëlohen filtrat, që të ketë cilësi dhe kualitet. Kjo do të arrihet me sistem licencimi dhe jo vetëm kaq. Të gjithë shqiptarët duan t’i bëjnë fëmijët futbollistë. Por, jo të gjithë mund të paguajnë. Ne duhet të bëjmë që ato talente që nuk mund të paguajnë, të kenë mundësi.

Vendimet e rëndësishme nuk janë populiste. Si do të fitoni zemrat e shumicës jashtë Asamblesë?

Ka shumë pakënaqësi të momentit apo për garën. Jo çdo gjë që u diskutua përpara zgjedhjeve, që ishte periudhë e ngjeshur me diskutime, pra tema e FSHF-së u bë më e fortë se kurrë dhe dolën kritika dhe tema të ndryshme. Disa ishin reale…

Cilat ishin këto kritika reale, nga rivali

Jo, sepse ai hodhi vetëm baltë. Por, njerëz të fushës pati kritika që ne duhet t’i rregullojmë në të ardhmen që publiku të mos thotë që kemi bërë gjërat ashtu si s’duhen dhe mos duket si konspiracion i madh. Ne duhet të merremi me problematikat, infrastrukturat, menaxhimin e strukturës dhe kështu me radhë.

Në 2020, Europiani, në 2022 mbaron mandati i pestë. Do të jetë përmbyllës

Ishalla do të jemi ende gjallë edhe katër vjet… (qesh). Realisht është dita ime e parë pas zgjedhjes dhe ka shumë gjëra për të bërë. Kemi bërë gabime dhe duhet të bëjmë akoma më të mirën. Ajo çfarë kemi arritur janë rezultatet e ekipit kombëtar që jo vetëm ka ndikuar në jetën e futbollit, por të shqiptarëve, duke i bashkuar dhe duke i ndihmuar për dashurinë ndaj flamurit. Franca ishte shembulli i këtyre vlerave. Ajo që kemi për zemër janë rezultatet e ekipit kombëtar. Tani stekën e kemi vënë lart dhe çdo ulje do të ishte e sulmueshme dhe kritikueshme.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.