Fakiç: Shitjet në verë, duam grupet e Championsit!

Drejtori sportiv i Skënderbeut: Grupi është forcuar dhe titullin nuk mund ta diskutojmë. Bregu? Në Shqipëri luan vetëm me ekipin tonë

Haris Fakiç është njeriu, i cili merret drejtpërdrejt me lëvizjen e lojtarëve te Skënderbeu, me afrimet dhe me shitjet. Në një intervistë për “Sport Ekspres” ai ka sqaruar situatën e fundit, pse klubi nuk bëri asnjë shitje në merkaton e dimrit dhe se çfarë mund të ndodhë në verë. Fakiç beson shumë se grupi është edhe më i fortë, kështu që titulli kampion nuk duhet të vihet në diskutim. Ai prek mes të tjerash edhe çështjen e Dejvi Bregut, ndërkohë që lë të hapur mundësinë e shitjes së ndonjë lojtari brenda këtij muaji.

– Haris, janë luajtur n2 ndeshjet e para të 2018-ës në Superiore dhe Skënderbeu ruan gati të njëjtën diferencë pikësh…

– Në fakt, starti nuk ishte ai që ne mendonim, por futbolli gjithmonë është i mbushur me surpriza. E rëndësishme është që diferenca me ndjekësit është thuajse e njëjtë.  

– Keni thënë para merkatos dimërore se Skënderbe i 2018-ës do të jetë më i fortë. Po tani, që merkatoja ka përfunduar, si mendoni?

– Po, kam thënë se Skënderbeu do të jetë më i fortë dhe kështu është, edhe pse nuk kemi qenë shumë aktivë në merkaton dimërore. Grupi nuk ka ndryshuar, pasi nuk kemi shitur asnjë lojtar. Jemi po ata që shkëlqyem në Europë dhe kampionat, pse jo më mirë.  

– Kanë ardhur emra të rinj si Vila, Krasniqi dhe Kaba Sambou. Sa e fuqizojnë ata ekipin?

– Kanë ardhur lojtarë me përvojë dhe me perspektivë. Kaba Sambou është një lojtar, të cilin e njihnim shumë mirë dhe ishim të sigurt se duhej të ishte pjesë e klubit tonë për të rritur konkurrencën. Ekipi ka më shumë cilësi për arritjen e objektivit.  

– A kishte Skënderbeu ndonjë objektiv në merkaton e dimrit, që nuk e arriti?

– Nuk kishim ndonjë objektiv që nuk e arritëm. Kemi punuar shumë kohët e fundit, madje edhe për merkaton e verës. Skënderbeu është një klub që jo rastësisht është një hap para të tjerëve. Për ne  ka shumë rëndësi edhe Europa. Për Skënderbeun mund të quhet dështim, nëse nuk kualifikohet verën e ardhshme në grupet e Europa League.  

– Abazaj ka firmosur tashmë me Skëndebeun, po Dejvi Bregu?

– Abazaj është pjesë e Skënderbeut, kjo është çështje e mbyllur. Ai do të bashkohet me ne në verë. Për Bregun dua të them vetëm kaq: nëse lëviz nga Luftëtari, me siguri në Shqipëri klubi i ardhshëm do të jetë Skënderbeu. Arsyet janë të shumta pse do ta bëjë një gjë të tillë Bregu apo edhe shumë të tjerë.    

– Skënderbeu nuk mundi të shiste asnjë lojtar. Pse?

– Skënderbeu ka pasur mundësi të shesë në këtë periudhë dy apo tre futbollistë. Ofertat zyrtare kanë qenë për lojtarë, që i kemi vlerësuar se rrezikojmë shumë, nëse i largojmë. Në të njëjtën kohë, nuk na ka ngrohur aspekti financiar. Vera e ardhshme do të jetë e duhura, por nuk përjashtohet mundësia të shesim ndonjë lojtar deri afër fundit të këtij muaji që jemi.  

– Cilat kanë qenë ofertat konkrete dhe nga kanë ardhur?

– Janë detaje, që nuk mund t’i bëj publike, pasi mbeten të hapura. Bisedimet me klubet, që janë të interesuara për futbollistët tanë zgjasin 6 muaj dhe ka raste që shkojnë edhe deri në një vit.  

– Mos ndoshta në verë do të ketë më shumë shitje?

– Po, kemi mundësi që në verë të jemi më efikasë në merkaton në dalje. Merkatoja e verës është më e mirë për të gjitha klubet, si në dalje, ashtu edhe në hyrje. Futbollistët në atë kohë vlejnë më shumë, sidomos kur skuadra e tyre luan në Kupat e Europës.  

– Po për huazimet, sa lojtarë ka çuar realisht Skënderbeu në skuadra të tjera?

– Kemi një grup lojtarësh cilësorë, që janë huazuar në rajon, në Kosovë dhe Maqedoni. Me disa klube kemi një bashkëpunim shumë të mirë dhe besoj se jemi duke bërë mirë. Ky është një favor edhe për lojtarët, pasi mund të luajnë rregullisht dhe më pas ne mund t’i kthejmë në skuadër. Ata që kemi huazuar janë Çarls te Rabotniçki, Argjend Mustafa, Egzon Sekiraça, Mohamed El Hayat, Shend Kelmendi, Oto Xhon te Trepçe 89’, Paolo Ivani dhe Anteo Osmanllari te Burreli, Ardit Hoxhaj te Flamurtari, Kristal Abazaj te Luftëtari, Bruno Lulaj te Laçi, Reza Karimi te Teuta dhe Marjo Dajsinani te Dinamo.   

– Për ndonjërin nga këta, a ka pasur oferta, apo pritet të kthehen te Skënderbeu më parë?

– Po, ka pasur oferta dhe më i përfoluri është Oto Xhon, i cili ka shkëlqyer dhe ka shënuar shumë gola. Kemi hezituar për këto oferta, pasi nuk kanë qenë aty ku i prisnim. Kemi pasur dhe oferta të tjera, por do t’i rishohim në muajt e verës.  

– Si e shikoni vazhdimin e kampionatit?

– Ka kaluar vetëm gjysma e tij dhe them se jemi vërtet mirë, të  shkëputur nga ndjekësit. Duam ta ruajmë këtë vend dhe është shumë e rëndësishme që titulli të mbërrijë së më shpejt në Korçë.   

– Sa shanse ka Skënderbe ta fitojë titullin kampion?

– Është herët për të thënë me shifra shanset, por, nëse vazhdojmë me këtë ritëm, shanset janë të mëdha të vijë përpara kohe.  

– Cilat janë objektivat e klubit në të ardhmen për shitjet dhe afrimet e lojtarëve?

– Edhe në këtë aspekt kemi objektiva konkretë, por në merkaton verore mund të ketë zhvillime konkrete. Jemi gati të shesim disa lojtarë me vlerat financiare që pretendojmë. Gjithsesi, le t’ia lëmë kohës.   

– Nëse Skënderbeu luan në Champions, ka më shumë shanse për të shkuar sërish në grupet e Europa League…

– Objektivi kryesor është fitimi i titullit, më pas objektivi minimal janë grupet e Europa League. Do të synojmë grupet e Championsit.  

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online