Rei Manaj ka zhvilluar sezonin e tij më produktiv duke shënuar 12 gola me ekipin e Barcelonës B. Rekordi i sulmuesit shqiptar mbahej në sezonin 2018-2019 kur kishte realizuar vetëm 6 gola te skuadra e Albacetes. Tashmë situata e këtij lojtari është disi e veçantë pasi “i dëshiron të keqen” ekipit A, për t’u larguar nga Barcelona me debutimin në “Camp Nou”.
Katalanasit humbën rrugën e titullit kampion pas barazimit ndaj Levantes. Nëse Atletiko Madridi fiton në ndeshjen e radhës, atëherë do të largohet me katër pikë kur kanë mbetur edhe dy ndeshje nga fundi. E gjithë shpresa e Manajt është për të debutuar në takimin e fundit të Barcelonës, në rast se çështja e titullit ka marrë fund. Mungesa e hapësirës në ekipin e parë deri tani ka ardhur edhe për shkakun e moshës së Manajt.
Nëse ky lojtar do të debutonte me Barcelonën A, atëherë nuk do të kishte më mundësinë për të luajtur me Barcelonën B. Për këtë arsye te katalanasit është parë si gabim pasi ekipi i dytë vuan për sulmues. Pas këtij sezoni ku prodhoi shumë gola, Manaj kërkon që ta mbyll duke realizuar ëndrrën në Camp Nou përpara se të largohet. Sipas të gjitha gjasave sulmuesi do të shoh një aventurë të re në merkaton e verës dhe interesimet nuk janë të pakta. Tashmë mosha tregon 24 vitet e arritura dhe Manaj nuk mund të qëndrojë më në ekipe të rinjsh, qoftë kjo edhe akademia e Barcelonës. /Sport Ekspres/