Southampton do të rikthehet përsëri në fushën e lojës pas asaj humbjeje turpëruese me rezultatin 0-6 ndaj Chelseat në Premier League. Në fundjavë përballë do të jetë Arsenali dhe këtë herë asgjë nuk e ndalon Hasenhuttl-in të hedhë titullar Armando Brojën. Trajneri i Southampton-it ka folur përpara ndeshjes me “topçinjtë”, ku sigurisht nuk kanë munguar as fjalët për sulmuesin shqiptar.
Hasenhuttl thekson se Broja duhet të ngjitet përsëri në nivelin e tij më të mirë, ndërsa sa i përket negociatave për ta mbajtur edhe një tjetër sezon në organikën e tyre, bisedimet janë të vështira për shkak të situatës në të cilën ndodhet Chelsea.
“Broja në nivelin e tij më të mirë është padyshim një lojtar që patjetër mund të na ndihmojë. Por është e rëndësishme që ai të rritet dhe të gjejë një mënyrë për t’u rikthyer në paraqitjet e tij më të mira, siç duhet të bëjmë të gjithë ne dhe ky është qëllimi për fundjavën.
E ardhmja e Brojës? Ne nuk po e diskutojmë këtë për momentin. Të gjithë e dimë situatën te Chelsea, ka shumë ndryshime atje dhe nuk është aq e lehtë të gjesh personin e duhur për të folur për të ardhmen e lojtarëve.
Është më e lehtë të përqendrohesh në punën tënde dhe atë që mund të bëjmë nga tani deri në fund të sezonit. Sa më lart të përfundojmë në tabelë, aq më tërheqës jemi për lojtarët dhe ky është qëllimi për shtatë ndeshjet e fundit“, ka deklaruar Ralph Hasenhuttl./Halit Delibashi-Sport Ekspres/