“Duhet të bëjmë sforcon e fundit”, Mehmeti nuk e mendon ‘final four’-in: Për 3 javë do të ndahet se cili do të jetë në 4-she

Java e 29 e “Abissnet Superiores” u përmbyll me duelin Dinamo-Skënderbeu. Dinamovitët i treguan forcën juglindorëve, të cilët i mposhtën me rezultatin 2-0. Ekipi i Mehmetit gjeti shumë shpejt rrugën e rrjetës. Kur kronometri po numëronte minutën e 3-të, Kaçorri tregoi klas dhe me një parabël e dërgoi topin në rrjetë. Për të mbyllur përfundimisht historinë e këtij takimi mendoi Qefalija.

Ky i fundit dyfishoi rezultatin në minutën e 82-të. Ndeshja përfundoi me shifrat 2-0 në favor të Dinamos, që tashmë shkon në kuotën e 39 pikëve. Blutë e kryeqytetit kanë vetëm një pikë më pak se Skënderbeu i vendit të 4-t, por kanë një ndeshje më tepër në dispozicion për të zhvilluar. Pas përfundimit të ndeshjes, trajnerët dhanë intervistat e tyre për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.

Mehmeti (Dinamo): “Në këtë pikë të kampionatit duhet të kënaqesh fillimisht me pikët. Kemi shumë javë që zhvillojmë lojë të mirë, por nuk kemi qenë të qetë përpara portës. Futbolli lojë gabimesh është. Kampionati ka ardhur në një pikë shumë të rëndësishme. Duhet padyshim të bëjmë atë sforcon e fundit. Duhet me patjetër të kemi këtë mentalitet fituesi. Duhet të jemi të qetë përpara portës, të mos ta kërkojmë golin me ngulm. Për sa i përket final four-it, ju e shihni vetë që është shumë e vështirë ta mendosh. Duhet të mendojmë vetëm Teutën. Jemi shumë konkurentë aty, duke filluar nga Skënderbeu, Tirana, Teuta, pse jo edhe Laçi. Duhet ta shohim hap pas hapi. E shikoj që me dy ndeshje, apo tre ndeshje, nuk ke arritur asgjë. Besoj se për 3-4 javë do të ndahet se kush do të jetë më afër (4-shes më të mirë)”.

Gvozdenoviç (Skënderbeu): “Në tre ndeshje këtu në Durrës nuk kemi fituar asnjë herë. Por nuk është fat. Nuk kemi luajtur mirë. Nuk kemi vrapuar. Ata ishin më agresivë, fituan më shumë topa. Kishin më shumë dëshirë për të fituar. Nuk luajtën vetëm një apo dy lojtarë keq. Sot i gjithë ekipi ishte keq, ishim për turp. Nuk ishim në nivelin e Skënderbeut. Isha shumë i mërzitur për dhuratat që bëmë në pjesën e parë. Ishte një derbi dhe nuk falen këto dhurata. Edhe unë si trajner nuk isha mirë sot, edhe lojtarët nuk ishin mirë. Të gjithë si skuadër ishim në një moment të keq”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/