Silvio Berluskoni është rikthyer të flasë për Milanin. Ai qëndroi plot 31 vite në krye të kuqezinjve dhe i dërgoi ata në majën e botës. Tani është ndryshe. Ekipi po kalon gradualisht krizën e madhe të viteve të fundit dhe po tenton të ringrejë kokë.
82-vjeçari është ndalur te ndryshimet e drejtuesve, trajneri i ri dhe Suso. Spanjollin e cilëson lojtarin më të mirë të ekipit dhe së shpejti dëshiron të njohë nga afër Marko Xhampaolon.
TRAJNERI – “I dërgoj urimet më të mira drejtuesve të rinj dhe shpresoj të bëjnë më mirë se ata që ishin dy vitet e fundit. Xhampaolo? Nuk kam biseduar ende me të, por shpresoj ta takoj së shpejti. Kam folur me presidentin Skaroni dhe mund të organizojmë një darkë. Skema me dy sulmues dhe një organizator pas tyre (Suso) është sistemi im i preferuar. Kemi luajtur prej vitesh ashtu dhe kemi fituar shumë. Sezonin e kaluar, Milani rikthehej në mbrojtje në pjesët e dyta dhe sulmuesi i vetëm ‘paralizohej’ në sulm.”
SUSO – “Është futbollisti më i mirë i Milanit. Zotëron gjithçka për të qenë një trekuartist fantastik. Askush nga lojtarët e tjerë nuk është aq i aftë në driblimin e kundërshtarit. Nisja nga e djathta e penalizon të realizojë goditjen e tij, një tjetër cilësi e madhe e Susos.”
SAN SIRO – “Jam kundër shembjes, është diçka pa sens. Stadiumi mund të përdoret për ngjarje të tjera. Ky tempull bën pjesë në zemrat milanistëve dhe interistëve. Është absurde ta mendosh shembjen. Le të ndërtojmë një tjetër të ri, por ta lëmë San Siron për funksione të tjera. Ka patur raste kur kemi marrë mbi 100 mijë kërkesa. Si mund të prishet një vend që ka bërë të rrahin fort zemrat e interistëve dhe milanistëve për dekada me radhë dhe vendi ku kemi arritur fitore të mëdha? Edhe zemra ka nevojë për pjesën e saj.”