“Dua të kthehem në Serie A dhe të qendroj aty“, Dermaku tregon jetën jashtë fushe: Jam shumë i lidhur me babin, jetojmë në 4 shtete të ndryshme

Kastriot Dermaku po rigjen formën e duhur me Leçen, ku kas rikuperimit nga dëmtimi ka fituar përsëri vendin e titullarit. Mbrojtësi shqiptar ka qenë i pranishëm në podcast-in e klubit italian, ku ka rrëfyer jetën e tij brenda dhe jashtë fushe. Lojtari shtatlartë tregon mënyrën e jetesës së tij si dhe lidhjen e fortë që ka me babain e tij. Ndërkohë sa i përket futbollit, shprehet se dëshiron të kthehet në Serinë A me Leçen dhe të qendrojë aty.

“Unë jam një djalë mjaft i qetë, i jam përkushtuar shumë sportit që bëj. Nëse stërvitem në mëngjes, pushoj pasdite ose përpiqem të perfeksionoj stërvitjen time. Do të doja të udhëtoja por jam shumë i përkushtuar ndaj futbollit. Kaloj shumë kohë në shtëpi, nuk më pëlqen të jetoj brenda qytetit. Kam hobi si filmat dhe serialet, jam në prag të 30 viteve, duhet të filloj të mendoj për të ardhmen gjithashtu.

Unë kam një marrëdhënie të veçantë me babain tim, ai ka qenë trajneri im i parë. Futbolli na ka lidhur shumë. Ai ishte një futbollist. Më pëlqen të kem mendimin e tij për ndeshjet. Jam rritur në Itali, në Rexho Emilia, më pas në moshën 18-vjeçare kam filluar të luaj profesionalisht dhe në familje kemi bërë zgjedhje të ndryshme: nëna ime jeton në Kosovë, babai im në Nju Jork dhe vëllai im në Londër.

Të mos kisha mbaruar shkollën e mesme ishte një zgjedhje e gabuar, kisha arritur në klasën e katërt dhe kisha filluar stërvitjen në ekipin e parë në Sassuolo. Ishte një ëndërr e pabesueshme dhe bëra këtë zgjedhje. Nuk do ta bëja më.

Unë jam një lojtar që fokusohem shumë te fiziku. Në C2 luajta pak me top në tokë, më pëlqen shumë loja ajrore. Tifozët e Leçes janë fantastikë, kam luajtur kundër tyre kur isha në Melfi dhe Kosenca. Kur erdha këtu, me rezultatin në bilanc në fund Leçe fitoi gjithmonë. Vitin e kaluar na kanë munguar shumë tifozët. Dua të shkoj në Serie A me Leçen dhe të qëndroj atje”, është shprehur Kastriot Dermaku./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *