Drita gjen Shpëtim për të dalë nga kriza. Kampionët e Kosovës arritën akordin me trajnerin Duro, pas negociatave që vazhduan për ditë me radhë. Trajneri i mirënjohur shqiptar ishte preferenca e parë e drejtuesve të klubit nga Gjilani dhe këmbëngulja e tyre dha rezultat.
Ish-drejtuesi i stolit të Partizanit, Skënderbeut, Shkëndijës së Tetovës dhe së fundmi Flamurtarit, i’u përgjigj pozitivisht ftesës. Negociatat kishin nisur kohë më parë, oferta ishte vendosur në tavolinë dhe pas 48 orëve pritje, trajneri u përgjigj: Jam gati për sfidën! Zyrtarizimi i drejtuesit të ri të stolit pritet këtë të hënë. Dalje përpara mediave dhe menjëherë në punë me ekipin. Koha nuk premton!
Një lajm që ka gëzuar pa masë drejtuesit e FC Dritës, që me Shpëtim Duron në stol shpresojnë të ndryshojnë sa më shpejt ecurinë e ekipit. Vetëm një fitore në Superligë dhe katër humbje radhazi kanë bërë që kampionët e Kosovës të shpërfytyrohen. Vetëm pas 5 javëve të para, diferenca nga kryesuesit e Flamurtarit është e konsiderueshme.
Plot 10 pikë larg kreut. Skuadra nga Gjilani e ka nisur sezonin në ngjitje. Detyra e trajnerit Duro është të rikthejë skuadrën në rrugën e duhur. Më tej objektivat do të vendosen hap pas hapi, të vetëdijshëm se synimi mbeten kupat e Europës.