Drejtuesit e Vllaznisë kërkojnë falje publike, tifozët e mbytin në ofendime

Vllaznia ra mbrëmjen e djeshme nga kategoria Superiore, pasi nuk i mjaftoi as fitorja 5-1 në Korçë, kjo pasi Kamza mori fitoren në fushën e Partizanit. Një dështim total për skuadrën veriore, që tashmë duhet të përballet dhe me opinionin e gjerë sportiv në Shkodër. Ditën e sotme klubi i Vllaznisë ka dalë me një deklaratë zyrtare, ku në faqen e klubit në “Facebook” bëhet me dije se po analizohen shkaqet që çuan skuadrën në këtë pikë dhe njëkohësisht bën fajtor të gjithë protagonistët e klubit, duke nisur që nga drejtuesit dhe deri te futbollistët.

Një deklaratë pa vlerë, si kofini pas të vjelit, që thjesht ka ndezur me keq Shkodrën, sepse komentet e shumta në faqen e Vllaznisë kanë qenë shumë negative dhe ka pasur ofendime pa fund ndaj klubit.

DEKLARATE
“Klubi i Futbollit “Vllaznia” sh.a. është sot në një moment shumë të vështirë. Rënia nga Superliga është një lajm që ka tronditur të gjithë opinionin sportdashës në Shkodër dhe jashtë saj. Fillimisht, e ndjejmë detyrim moral që në emër të Klubit, t’i kërkojmë një ndjesë të madhe publike të gjithë sportdashësve shkodrane për këtë tronditje që i kemi shkaktuar. Stafi i KF Vllaznia sh.a., futbollistët dhe stafi teknik, janë përgjegjësit kryesore të rënies së ekipit dhe kjo përgjegjësi po analizohet hap pas hapi dhe shumë shpejt do të bëhen të ditura edhe masat përkatëse. E theksojmë se Bashkia e Shkodrës, si aksionare e vetme e Klubit, ka plotësuar të gjitha kërkesat që i kanë vajtur në mbështetje të Vllaznisë. Kjo e shton edhe më shumë përgjegjësinë tonë për atë që i ka ndodhur Vllaznisë pasditen e djeshme. Në orët e në ditët në vijim, do të komunikojmë sërish së bashku dhe përmes jush me sportdashësit shkodranë, lidhur me të sotmen dhe të nesërmen e KF Vllaznia sh.a. Natyrisht, do të jetë Këshilli Bashkiak në cilësinë e Asamblesë së Përgjithshme të Klubit që do të marrë vendimet e duhura për përballimin e situatës aktuale dhe kthimin e Vllaznisë aty ku e ka vendin brenda sezonit 2018-2019. KF Vllaznia sh.a”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *