Ngjarje dramatike në Tailandë, aty ku 12 fëmijë dhe një trajner futbolli kanë mbetur të izoluar në një shpellë dhe rreth 1000 ushtarë e civilë po mundohen t’i shpëtojnë, por është tepër e vështirë.
Djemtë me moshë 11-16 vjeç, anëtarë të skuadrës Wild Boars, si dhe trajneri Ekkapol Chantawong, ishin futur në shpellën e Tham Luang pas stërvitjes, më 23 qershor, për një shëtitje 5-orëshe. Duhet sqaruar se bëhet fjalë për një shpellë pa fund, pjesë e një labirinti shpellash që përshkojnë një pjesë të madhe të territorit në veri të Tailandë.
Megjithatë, shirat e rrëmbyer tipike të stinës përmbytën sektorë të ndryshëm të shpellës dhe bllokuan totalisht hyrjen e saj. Forcat e ndihmës së shpejtë kanë tentuar në çdo mënyrë, duke përfshirë heqjen e ujit me pompa, por ka qenë e pamundur për shkak të reshjeve që nuk ndalen. Ka kaluar një javë dhe nuk po gjendet një zgjidhje, ndërsa koha po mbaron, me gjithë Tailandën që është në ankth.
Ndërkohë, një nga personat që merrte pjesë në operacionet e shpëtimit ka humbur jetën, duke vendosur bombola oksigjeni për zhytësit që po punojnë për të mbërritur deri në sipërfaqe, në një distancë prej thuajse 2 kilometrash nën ujë.
INFANTINO – Edhe FIFA ka reaguar për ngjarjen e dhimbshme në Tailandë, sepse presidenti Xhani Infatino i ka dërguar një letër Federatës Tailandeze, ku i shpreh solidaritetin dhe u ka dërguar ftesë të gjithëve fëmijëve, në rast se operacionet e shpëtimit do të jenë të suksesshme dhe fëmijët do të jenë mirë (janë pa ushqim dhe u mungon edhe oksigjeni tashmë), që të jenë të pranishëm në finalen e Kupës së Botës në Rusi.