Doshi: Nuk e privatizoj Vllazninë!

Biznesmeni foli pas barazimit me Kamzën dhe ishte i zhgënjyer nga ekipi. Njëlloj janë ndjerë edhe tifozët, që herë herë nuk i kursyen ofendimet dhe shishet e hedhura në pistë

Tom Doshi e ka thënë prej kohësh në fakt: “Nuk e privatizoj Vllazninë”. Deputeti shkodran, një nga njerëzit më të pasur në vend, i është gjendur pranë ekipit gjatë këtij sezoni, duke dhënë shpesh premio. Pas barazimit me Kamzën, Doshi deklaroi se ishte shumë i pakënaqur me ekipin, ndërkohë thekson se nuk duhet t’i humbin shpresat për qëndrimin në Superiore. “Jam shumë i pakënaqur me ekipin e Vllaznisë, mendoja se do të fitonin. Është një premtim që e kam bërë, që do e mbështes Vllazninë. Jam i pakënaqur. Mbështetja ekipit nuk i ka munguar në asnjë aspekt, edhe stadiumi ishte i mbushur, njerëzit e mbështetën Vllazninë. Mbijetesa? Shpresojmë, asnjëherë nuk duhet t’i humbim shpresat. Privatizimi? Jo, nuk kam ndonjë pretendim për privatizimin. Unë do ta mbështes Vllazninë edhe në të ardhmen, kushdo që ta marrë ekipin”, tha Doshi për “Sport Ekspres”.

TENSIONI

Gjatë ndeshjes pati tension në fushë dhe kulmi u arrit në minutën e 77-të pas një faulli të Bardullës ndaj Zguros. Lojtarë të të dyja ekipeve u grumbulluan dhe pati shtyrje mes futbollistëve, ku panë Arrabal e Kalaja që u shtynë mes njëri-tjetrit, por edhe Vucaj e Malaj. Fantazisti i Vllaznisë edhe në pjesën e parë pati një moment tensioni me Zefin pas një ndërhyrje që laçiani mori nga Krymi. Gjatë momentit të tensionit mes lojtarëve edhe publiku u irritua dhe pati ofendime e shishe plastike të hedhura drejt fushës, çka bëri që të rreshtoheshin në pistë edhe forcat speciale. Në fund të ndeshjes, kur futbollistet e Kamzës po festonin me tifozët e tyre tek tribuna anësore, pati tension. Për publikun shkodran kjo nuk pranohej dhe kur u kthyen afër stolit të tyre, pati reagime të tjera me publikun. Nuk munguan ofendimet dhe shishet e hedhura, çka solli edhe “ngujimin” e tyre në pankinë. Forcat e policisë insistonin që ato të largoheshin nga aty, pasi situata mund të rëndohej. Për këtë kaluan me shpejtësi në dhomat e zhveshjes. Por tifozët shkodranë reagimin më të madh e kishin me lojtarët e tyre dhe stafin, pasi nuk arritën dot të fitonin, edhe pse në stadium kishte një numër të madh tifozësh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online