Mino Raiola është një agjent i suksesshëm në botën e futbollit dhe ai që mund të shesë edhe një picë proshut-djathtë me vlerë e një pjate me haviar… Fundja, kështu e ka ngritur pasurinë e tij. Lojtarët që ka menaxhuar dhe që vazhdon të ketë nën tutelë e dëgjojnë në çdo gjë që thotë dhe bën. Sepse, të rritësh zerot në llogarinë bankare nuk është asnjëherë keq. Askush s’mund të thotë që kam aq shumë para sa të them “mjaft”. Por, e gjitha kjo qëndron nëse Xhanluixhi Donaruma do të jetonte në Afrikë dhe do të fitonte sa për bukën e gojës. E gjitha kjo do të qëndronte nëse Milani do t’i ofronte një rrogë maksimumi 1,5 mln euro, pasi konsiderohet një fenomen i futbollit botëror…
Por, sot ka mbërritur një ofertë me “O” të madhe. Thuajse 4,5 mln euro në sezon dhe bonos, deri në 5 mln euro. Pra, më shumë se një ndër portierët më të mirë në historinë e futbollit, Xhanluixhi Bufon, që të shtunën do të përballet me Real Madridin në finale. Kanë një emër, por jo një klas. Sepse, me këtë lëvizje për të pritur deri të hënën që të japë përgjigje, Donaruma ka zhgënjyer tifozët e Milanit, që besonin te ajo puthje e fanellës në “Juventus Stadium”… Besonin te pastërtia e djaloshit, që ndoshta do të bëhet më i mirë se Bufon si portier, por jo si njeri.
Sepse, Xhanluixhi tjetër, ai bardhezi, provoi ferrin e Serisë B, atëherë kur te Juventusi gjërat nuk ishin si tani, por u përjetua situata më e keqe në histori. Burrëria s’blihet në treg, të paktën ajo ka ngelur!