Donnaruma u zbulua nga Sinisa Mihajloviç në kohën kur italiani ishte vetëm 16 vjeç. Trajneri serb mori një hap të guximshëm duke lënë në stol Diego Lopez, por që në fund rezultoi i suksesshëm. Pas një viti me paraqitje të mira, Donnaruma së bashku me Raiolën filluan lojërat me drejtuesit kuqezi. Kur sapo ishte shitur Milani tek kinezët, ish drejtorët sportivë Fassone e Mirabelli deklaruan se Donnaruma nuk do të rinovojë, për shkak se kërkonte një rrogë të çmendur.
Kjo acaroi tifozët kuqezi, të cilët në ndeshjen Danimarkë- Itali për 21 vjeçarët i hodhën portierit dollarë fallco si dhe bënë kore me termin “Dollaruma”. Megjithatë, Donnaruma në fund zgjodhi të qëndronte në Milan, teksa mori mbështetjen dhe nga tifozët të cilët e falën. Si për të bindur mbështetësit se dashuria e tij me klubin vazhdonte, në ndeshjen Juventus-Milan, Gigio puthi fanellën.
Problemet mes dyshes Raiola-Donnaruma dhe Milanit nuk përfunduan asnjëherë. Agjenti i lojtarit kërcënoi Maldinin dhe Gazidis se nëse paga vjetore e klientit të tij, nuk do të rritej në 12 milionë euro, si dhe 20 milionë euro komision nga shitja e lojtarit për Raiolën, atëherë Donnaruma nuk do të rinovonte. Dhe kështu ndodhi. Drejtuesit e Milanit deklaruan se nuk mund të bëjnë çmendurira me pagesat, si dhe preferojnë të mbajnë në skuadër futbollistë që duan fanellën legjendare të kësaj skuadre. Kështu menjëherë gjetën zëvendësuesin e portierit italian, i cili është Mike Maignan. Ky i fundit theu rekordin e rrjetës së paprekur me Lille në Francë.
Ata që e ndejnë më shumë “tradhëtinë” e Donnarumës janë ultrasit e Milanit “Curva Sud”. Ditën e sotme në Casa Milan me anë të një parrulle ku shkruhej ” Kërcënimet janë të papranueshme, vazhdo kështu AC Milan”, shprehën hapur qëndrimin e tyre pro Gazidis dhe Maldinit. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/