DOKUMENTI | Sqarohet “çështja” Toro, kiliani komenton situatën e pagave

Një intervistë në mediat kiliane i trazoi disi ujërat në kampin e skuadrës së Laçit, pasi Sebastian Toro deklaroi se nuk ishte paguar dhe se aventura e tij te skuadra kurbinase ka mbaruar. Një deklaratë e fortë që i ka shqetësuar drejtuesit e skuadrës bardhezi, të cilët kanë biseduar me kilianin.

Vetë lojtari ka folur për “Supersport” duke treguar se prononcimi i tij nuk kishte qenë i saktë dhe nuk ishte e vërtetë që ai kishte deklaruar se te Laçi nuk është paguar. Me zë e figurë, ai pranon se gjithçka ka shkuar mirë dhe se do të jetë pjesë e Laçit edhe në vazhdimësi.

Dokumenti i publikuar tregon se lojtari ka marrë të gjitha pagat, me përjashtim të një shume prej 400 eurosh, në muajin dhjetor, për faktin se e gjithë skuadra ishte gjobitur me vlerën e sipërpërmendur.

“Është e vërtetë që kam folur për mediat kiliane, por jo çdo gjë që shkruhet aty është ajo që unë kam thënë. Ju i keni dokumentet dhe unë i kam në bankë të gjitha pagat, për çdo muaj dhe çdo gjë është në mënyrë korrekte që nga dita e parë deri më tani”.

“Kur unë kalova një moment të vështirë shëndetësor dhe gjendesha i shtruar në një spital, presidenti dhe drejtori qëndruan me mua gjatë gjithë kohës. Kështu, nuk mund të them se nuk trajtohem mirë apo si të gjithë të tjerët. Unë flas për veten time dhe si i huaj që jam trajtohem më mirë seç të tjerët mendojnë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *