Armando Dobra është nëj nga emrat më premtues të brezit të ri të Kombëtares. Futbollisti 19-vjeçar ka treguar potencialin e tij të madh në radhët e Ipsuiç, ku është marrë disa herë nga U-23 drejt ekipit të parë. Madje vetëm pak muaj më parë klubi tregoi besimin e palëkundur te talenti shqiptar, duke rinovuar për 3 vite.
Megjithatë për t’u zhvilluar nevojiten 90 minuta të plota me skuadrën A dhe për këtë arsye trajneri i Ipsuiç ka hedhur idenë e huazimit. Pol Lambert ka vlerësuar dy lojtarët, El Mizuni dhe Dobrën, ndërsa ka theksuar faktin se dyshja ka nevojë të luajë një futboll me presion dhe larg U23-shit. Tekniku skocez shprehet se do të mbetej i kënaqur edhe nëse arrihet një marrëveshje për t’i huazuar në Kategorinë e Katërt të Anglisë, një më poshtë kampionatit ku vetë Ipsuiç merr pjesë.
“Ata djem duhet të luajnë me presion. Duhet ti largojmë që të luajnë futbollin e burrave dhe të mësuarit e rrugës së vështirë është e rëndësishme për ta. Idris ka nevojë për ndeshje, pa asnjë dyshim. Një talent shumë i mirë, por ai thjesht duhet të luajë ndeshje futbolli/
Dobra është një tjetër djalosh që ka nevojë për futboll konstant të ekipit të parë dhe në një mjedis ku mund të largohet nga futbolli i U23-shit, pasi atje nuk ke një presion të vërtetë. Idealisht do të më pëlqente që ata të dy të shkonin në League 2. Nëse kjo ndodh atëherë është shkëlqyeshëm. Ata janë lojtarë të mirë dhe e përballojnë atë nivel”, ka thënë Lambert./Halit Delibashi-Sport Ekspres/