Do të luajnë në të njëjtin grup me Shqipërinë, Sarabia: Mos na quani favoritë, vetëm sa na dobësoni

Pablo Sarabia është ftuar në Kombëtaren e Spanjës për dy ndeshjet miqësore kundër Kolumbisë dhe Brazilit. I pyetur në konferencë për shtyp për etiketimin e përfaqësueses iberike si favorite në Euro 2024, ku do të jenë në të njëjtin grup me Shqipërinë, lojtari spanjoll është përgjigjur se epitete të tilla e dobësojë ekipin. Sa i përket ftesës së dy lojtarëve si Jamal, vetëm 16 vjeç, dhe Kubarsi, 17 vjeç, Sarabia është shprehur se nuk ndihet i plakur përkrahë tyre. Përkundrazi, shton se është formën më të mirë në karrierën e tij.

“Këto lloj etiketimesh (si favoritë) nuk na ndihmojnë. Ato na dobësojnë. Duhet të përqendrohemi te çdo ndeshje që kemi. Jamal dhe Kubarsi në Kombëtare? Jam shumë i lumtur që lojtarë të rinj i bashkohen Kombëtares. Kjo do të thotë se Spanja po punon mirë me kategoritë e të rinjve. Nuk ndihem i plakur. Mund të jem 31 vjeç, por jam në një fazë shumë të mirë të jetës sime. Ndoshta momenti më i mirë i karrierës sime. Ekziston një diferencë e madhe në moshë dhe do të përpiqemi të gjithë që të ndihmojmë me përvojën tonë. Është rinia ajo që është kaq e nevojshme në çdo ekip”, ka thënë Pablo Sarabia./Halit Delibashi-Sport Ekspres/