“Do ta shikoni se çfarë trajneri do të bëhet Xabi Alonso”! Mourinho e paralajmëroi që në 2019: Lindi me një baba lojtar dhe u rrit me një baba trajner

Xabi Alonso konsiderohet aktualisht si një nga trajnerët më me prespektiv në botë. Leverkusen i tij u shpall kampion i Bundesligës duke thyer dominimin e Bayern Munchen, pesë ndeshje para mbylljes së kampionatit. Por kur në vitin 2019, Alonso mori përsipër ekipin e dytë të Real Sociedad, Jose Mourinho parashikoi se Alonso do të ishte një trajner shumë i mirë.

I pyetur në vitin 2019 se cili nga të gjithë futbollistët që kishte nën drejtimin e tij ka shanset më të mira për të qenë trajner, Jose u përgjigj: “Unë do të thosha Xabi Alonso. Babai i tij ishte një trajner, kështu që ai u rrit në një mënyrë të ngjashme me mua. Ai lindi me një baba që ishte lojtar, dhe ai u rrit me një baba që ishte trajner. Më pas u bë një lojtar, sigurisht shumë më i mirë se unë.

Pozicionimi i tij në fushë dhe njohuritë e tij për lojën janë shumë të larta. Më pas ai luajti në Spanjë, Angli dhe Gjermani, ai u stërvit nga Guardiola në Bayern, unë në Real Madrid, Ancelotti në Madrid, Benitez në Liverpool, nëse i mblidhni të gjitha, mendoj se Xabi ka kushtet për të qenë një trajner shumë i mirë”, tha Mourinho. /Sport Ekspres/