Sot, vizitat mjekësore të zviceranit, ndërsa nisin negociatat për Kontin e Atalantës
“I pandalshëm”, siç thonë në Angli. Pa frena. Milani nuk ndalet më. Pasi ka zyrtarizuar blerjet e Musakios për mbrojtjen dhe Frank Kesies për mesfushën, krahu i majtë i prapavijës do të mbulohet shumë shpejt nga ana e Rikardo Rodrigezit. Sipas asaj që ka shkruar dje “Sky Sport”, akordi kryesor me Volfsburgun është arritur. Mbrojtësi i krahut të majtë zviceran do të mbërrijë në Itali sot, teksa vizitat mjekësore që do të konfirmojnë edhe disponibilitetin e tij për të luajtur me Milanin janë parashikuar për të mërkurën. Ka rezultuar deçiziv blici në Gjermani i administratorit të deleguar të Milanit, Marko Fasone, që ka mbyllur më herët, të paktën me 24 orë, këtë tratativë që duhej të mbyllej sot, teksa mësohet se mund të ketë perfeksionuar edhe blerjen në këmbim të 18 milionë eurove, 15 për kartonin dhe 3 që kanë lidhje me bonuset e ndryshme. Kështu, Rodrigez pritet që të vijë sot në Milano, për të kryer të mërkurën vizitat mjekësore.
BILIA – Tratativë në fazë të avancuar duket se është ajo me regjistin e kombëtares argjentinase. Madje ekziston akordi me lojtarin për një kontratë trevjeçare prej 3 milionë eurosh neto në sezon. Por, tashmë “kocka e fortë” që duhet bindur është pikërisht Lotito, që mund të kënaqet vetëm me 20 mln euro. Më e thjeshtë të mbyllësh marrëveshjet me gjermanët, me të cilët është arritur që mbrëmë akordi për Rodrigez, sesa me Lacion për Bilian. Megjithatë, duket se sot pritet të mësohen shumë gjëra edhe për të ardhmen e lojtarit argjentinas.
Sakaq, do të nisin gjatë kësaj jave edhe negociatat për Andrea Kontin e Atalantës, për të cilin interesohet edhe skuadra e Interit. Vlera e kartonit të tij është rreth 25 mln euro.