Kthim i menjëhershëm në Milano. Pas marrëveshjes me Federatën Turke, Hakan Çalhanoglu u largua nga grumbullimi i përfaqësueses turke në Konia dhe udhëtoi drejt Italisë. Arsyeja lidhet me problemin në këmbën e djathtë.
Lëndimi i shkaktuar nga kontakti me Ikardin në derbin e Madoninës, ka nisur ta shqetësojë sërish. Numri 10 i kuqezinjve luajti për 90 minuta në ndeshjen e humbur kundër Suedisë, duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit te Turqia.
Menjëherë pas ndeshjes, ai kishte dhimbje në këmbë dhe Federata Turke njoftoi në faqen zyrtare se Çalhanoglu nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Luçesku për ndeshjen miqësore të së martës ndaj Ukrainës. Në orët në vijim, lojtari do të vëzhgohet nga stafi mjekësor i Milanit, për të kuptuar shkallën e dëmtimit dhe periudhën që nevojitet për rehabilitimin e plotë.