Dita e veçantë e “estonezit” Basha, goli i parë profesionist

Në pak muaj Arbër Basha ka pasur plot momente për të festuar, sepse në moshën 20-vjeçare ka disa arsye për t’u krenuar me ato që ka bërë.

Në korrik mesfushori i ri shqiptar la kampionatin shqiptar, ku ishte pjesë e Kamzës, për të shkuar në Estoni.

Guxim i madh, rrezik i madh, por duket se Basha e kishte menduar mirë, sepse në Shqipëri nuk po luante rregullisht dhe në Kosovë nuk kishte parë mundësi rritjeje.

Tashmë, pas më pak se tre muajsh te Narva në Estoni, Basha jo vetëm që po luan rregullisht në kampionat, por edhe ka festuar debutimin në Europa League, duke prekur futbollin e madh.

Nuk mbaron me kaq, sepse sot Basha festoi edhe golin e parë si profesionist. Narva fitoi 8-0 ndaj Noorus në kupë, në 1/8-at e finaleve.

Basha luajti titullar, si zakonisht, ndërsa në minutën e 61-të shënoi golin e gjashtë të ndeshjes. Gol pa domethënie për rezultatin final dhe kualifikimin, por për Bashën është gol që do e kujtojë gjithmonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *