Më 26 qershor 1968 lindte në Milano Paolo Maldini, fëmija i katërt nga 6 vëllezër e motra. Një lojtar i jashtëzakonshëm, por edhe një person i veçantë, që do të bëhej një ndër mbrojtësit më të mirë në historinë e futbollit. Legjenda e Milanit dhe Italisë ka folur për mediat italiane, që i kanë kushtuar një hapësirë të madhe, natyrisht duke e pyetur për gjithçka nga familja dhe karriera e tij dhe mbi të gjitha për Milanin.
“Unë dhe Milani, lidhje perfekte. Ishim shumë ambiciozë”
“Kam lindur në Milano, ndaj për mua ishte maksimumi të luaja te Milani”, e nis rrëfimin e vet për SkySport Paolo Maldini. “Kam qenë me fat, sepse si unë, ashtu edhe Milani, ishim shumë ambiciozë. Ishte një lidhje perfekte. Ishte një galop i bukur, me ulje-ngritjet e veta. Në momentet e uljes erdhën anglezët. Ferguson? Po, por edhe Çelsi e Arsenali. Megjithatë, nuk është e mundur të largohesh në momentet e këqija”.
“Kam kërkuar gjithnjë ndeshjen perfekte”
“Kur e kuptova që do të bëhesha ky që jam? Sinqerisht, ditën e debutimit: kur mbaroi ndeshja në Udine mendova: ‘Domethënë unë mund të luakam në Serinë A’ dhe deri atëherë nuk më kishte shkuar ndërmend. Thashë me vete: ‘Por unë luajta mirë, apo jo?”. Më pëlqeu si luajta, edhepse është një fjalë e madhe ta thuash, sepse kam kuptuar që gjatë gjithë karrierës sime kam kërkuar ndeshjen perfekte, pa ia dalë mbanë. Si mbrojtës i majtë është më e vështirë, sepse si qendërmbrojtës mund të gabosh më pak”.
“I kënaqur me atë që më ka dhënë futbolli”
“Kam luajtur Botërorin me babain tim Çezare në stol, e doja një triumf për të, por edhe për Italinë, për mua, për shokët e skuadrës, por është një ndjesi jo fort e pëlqyeshme që e mbylla karrierën pa fituar asgjë me Italinë, edhe pse ishte një aventurë shumë e bukur. E di që jam futbollisti që kam luajtur më shumë në Botëror pa e fituar atë. Nuk mund të kesh gjithçka nga jeta, edhe pse jam i kënaqur me atë që më ka dhënë futbolli”.
“Nuk kam qenë pronar klubi në Amerikë”
“Nuk kam qenë kurrë pronar i Majemit në Amerikë, edhe pse kam dhënë ndihmën time, por nuk shkova kurrë atje për të jetuar. Ishte një ide fillestare, që nuk u zhvillua. Ndihmova pronarin që të gjente një drejtor sportiv dhe trajnerin, që u bë Nesta, por më pas nuk vazhdova”.
“Milanit të Barbara Berluskonit i thashë po, atij të Fasones jo”
“Në jetë ekziston edhe përgjigja jo. Duket sikur kjo mbizotëron, por nëse sheh realitetin e fakteve, nuk është gjithnjë kështu. Pas karrierës si futbollist mundësitë për mua janë kufizuar ndjeshëm, sepse kisha luajtur gjithnjë vetëm me Milanin dhe Italinë, me të cilat janë lidhur përjetësisht në futboll. Milanit të Barbara Berluskonit i thashë po, por më pas nuk e di çfarë ndodhi. Isha shumë pranë, të paktën kështu më thoshin. Milanit të Fasones i kam thënë jo, e vërtetë. Ndoshta ajo ka qenë e vetmja përgjigje jo që kam dhënë. Kombëtares i kam thënë dy herë po për postin e team manager, ose të paktën u kam thënë që jam gati të flas, para Botërorit 2014 dhe para Botërorit aktual, por askush nuk u bë i gjallë, ndaj nuk u kam thënë jo”.