Dita e madhe kuqezi, nga Zagrebi në Milano

0

Prej dekadash jemi mësuar të adhurojmë Milanin, por sot shqiptarët do të brohorasin vetëm për Shkëndijën. Sido që të shkojë, tetovarët na kanë nderuar, ashtu si Skënderbeu

Është nata e madhe kuqezi. Jo ajo e Milanit, natyrisht. Milani e ka një natë normale futbolli, netët e mëdha nuk janë këto për kuqezinjtë e Milanos, sepse ata janë mësuar me skena të tjera, shumë më të mëdha. Është nata jonë, e Shkëndijës dhe e Skënderbeut. Dy skuadra shqiptare, të ndara nga një kufi, por që këtë verë na kanë bashkuar edhe më shumë. Është turi i katërt, quhet play-off, kush kalon fiton lavdi dhe miliona. Shanse të vogla për Skënderbeun, thuajse zero për Shkëndijën, por në futboll ka pasur raste kur Davidi e ka mposhtur Golinë. Duhet shpresuar, fundja nuk na kushton asgjë të ëndërrojmë. Edhe po humbëm, punë e madhe, rëndësi ka të dalim me kokën lart, si deri tani…

TETOVA ZJARR – Quhet Shkëndijë, por është transformuar prej dy vitesh në një zjarr gjigant, që ka djegur shumë rivalë. Natyrisht, grupet mbeten ëndrra e madhe dhe ndoshta ende e largët, por kjo është rruga e duhur. Deri para dy vitesh Shkëndija ishte në vendnumëro: 4 pjesëmarrje prej vitit 2011, asnjë kualifikim, duke u eliminuar edhe nga ekipe gjysmëamatore si Portadaun, nga Irlanda e Veriut. Prej pak vitesh gjithçka ka ndryshuar, sidomos atje lart, në krye të klubit. Prej 4 vitesh familja Destani ka ndërmarrë një mision të vështirë, të ndërtojë klub profesionist dhe të aftë të shkëlqejë edhe në Europë. Ia kanë dalë mbanë plotësisht, sepse kjo Shkëndijë të kënaq kur e sheh, përballet pa frikë me çdo rival dhe nëse kap dy vite rresht fazën play-off në Europa League, atëherë nuk është rastësi, diçka e madhe është bërë. Një leksion edhe për klubet e Superiores sonë: Shkëndija e këtij sezoni është thuajse ajo e sezonit të shkuar, me ndonjë përforcim.

KORÇA SHPRESON – Nëse tifozët e Shkëndijës kanë një takim me historinë, Skënderbeu e ka shkruar më parë historinë e vet dhe tashmë i duhet thjesht të shtojë faqet e një libri fantastik, që e ka parë këto vitet e fundit të shkëlqejë në kupat e Europës dhe të kthehet tashmë në klubin më të suksesshëm shqiptar në kupat e Europës. Ashtu si dy vite më parë, Dinamo e Zagrebit në rrugën e vet, një rival i frikshëm, një fabrikë talentesh dhe trofesh, shumë larg futbollit shqiptar. E megjithatë, Shqipëria dhe klubet shqiptare këto vitet e fundit kanë treguar se dinë të bëjnë gjëra të mëdha. Ndoshta Dinamo është ende shumë larg, por Skënderbeu është në rrugën e duhur. Natyrisht, i duhen ende shumë vite punë dhe shpenzime kolosale, por futbolli është si biznesi, po nuk shpenzove, nuk fiton dot. Skënderbeu e ka arritur objektivin e vet për këtë sezon në Europë, është në garë pak ditë larg shtatorit, ky është synimi që duhet të ketë çdo klub serioz në Shqipëri. Nëse pastaj vjen kualifikimi i bujshëm, do të thotë që kemi bërë hapin e madh, qoftë edhe vetëm me një klub. Sido që të shkojë, rëndësi ka që Skënderbeu të paraqitet më mirë se dy vite më parë, sepse hapat hidhen një nga një.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.