Një mbrojtës pritet të zyrtarizohet sot, ndërkohë që drejtuesit duhet të vendosin për sulmuesin Tunde Adeniji. Ka dhe një alternativë tjetër për sulmin
Leonard Trebicka
Sot është dita e fundit e merkatos dhe Skënderbeu po lëviz më shumë se skuadrat e tjera, pasi luan në tre kompeticione dhe i duhen përforcime të tjera. Pas Afrim Takut, te bardhekuqtë pritet që deri mbrëmjen e sotme të konfirmohen edhe dy lojtarë të tjerë. Bëhet fjalë për një qendërmbrojtës dhe një sulmues. Sa për sulmin, “Sport Ekspres” një ditë më parë bëri publik lajmin se korçarët janë pranë akordit me sulmuesin e Levskit të Sofjes, Babatunde Adeniji. Pritet edhe një qendërmbrojtës për të mbyllur merkaton, por koha nuk pret. Burime pranë klubit bardhekuq bëjnë me dije se flitet për një shqiptar, i cili luan jashtë dhe që do të ishte “qershia mbi tortë”, nëse arrihej marrëveshja dhe lista e Skënderbeut mbyllej me të.
LISTA – Në 24 orët e fundit të merkatos Skënderbeu pretendon të mbyllë marrëveshjen me dy lojtarë, por është pak problem, sepse bashkë me ta numri i futbollistëve shkon në 27, ndërkohë që lejohet të federohen 25. Burime pranë klubit bëjnë me dije se Leonit Abazi mund të huazohet në një skuadër tjetër, pasi nuk është ende në formën e tij më të mirë. Nëse kosovari huazohet, mbetet edhe një lojtar tjetër, që duhet të lërë korçarët dhe është pak e vështirë të thuhet cili do të jetë. Listën zyrtare do ta bëjë trajneri Ilir Daja, edhe pse pak a shumë dihet se cilët do të jenë. Nuk ka asnjë lojtar, i cili mund të luajë me ekipin e të rinjve, sepse nëse do të kishte, trajneri Daja do ta federonte me të rinjtë dhe Skënderbeu mund ta afronte në çdo moment. Një zgjidhje do të jepet sot për dy pikëpyetjet. Ka mundësi që të largohet Sebino Plakut për te Tirana, por nuk dihet me siguri, nëse kjo do të ndodhë. Skënderbeu ka pak lojtarë në sulm dhe duhet të mendohet mirë.
SULMUESI – Njëri prej lojtarëve që do të zyrtarizohet sot, do të jetë sulmues. Trajneri Ilir Daja ka bërë të ditur se janë dy sulmues të huaj, që po shihen me kujdes dhe njëri prej tyre është Babatunde Adeniji, i cili luan me Levskin e Sofjes dhe që është pëlqyer nga trajneri i korçarëve. Për lojtarin në fjalë ka pak kohë për të përgatitur dokumentacionin deri sot në mbrëmje, pluse që duhet rritur dhe oferta e drejtuesve për pagën mujore të nigerianit. Gjithçka vendoset sot dhe nëse presidenti Takaj bindet, do të jetë një tjetër goditje e madhe në sulm. Nëse jo, do të vijë një sulmues tjetër që do të zyrtarizohet po sot. Korçarët kanë nevojë për një përforcim në sulm, ku kanë më pak lojtarë.
MBROJTËSI – Gjasat më të mëdha janë që Skënderbeu të afrojë një qendërmbrojtës shqiptar, për të mos shtuar radhët e të huajve. Mësohet se Skënderbeu është në bisedime me Fidan Alitin, i cili në sezonet e fundit është aktivizuar në Kroaci, ndërsa në të shkuarën ka qenë edhe pjesë e kombëtares shqiptare, por nuk ka pasur një ecuri të mirë në karrierën e vet.
Lista paraprake e Skënderbeut
Portierë
Orges Shehi
Aldo Teqja
Marjo Dajsinani
Mbrojtës
Bajram Jashanica
Marko Radas
Tefik Osmani
Kristi Vangjeli
Gledi Mici
Bruno Lulaj
Leonit Abazi (?)
Fidan Aliti (?)
Mesfushorë
Sabjen Lilaj
Shend Kelmendi
Suad Sahiti
Bakari Nimaga
Gjergji Muzaka
Donjet Shkodra
Reza Karimi
Nazmi Gripshi
Enis Gavazaj
Bruno Dita
Afrim Taku
Belai Demte
Sulmues
Ali Soue
Sebino Plaku
Xhejms Adeni
Babatunde Adeniji (?)