“Disa do ngelin në tribunë dhe do prishin atmosferën”! E zbulon Armand Duka, ja pse Silvinjo nuk do 26 lojtarë në Euro24 dhe mbron skemën me 23 futbollistë

Teksa qershori po afron gjithmonë e më shumë, tema kryesore e shqiptarëve është padyshim Kombëtarja. Kjo u diskutua edhe në emisionin “Sport Elite” që transmetohet në “RTK” me Qeqa Krelanin, teksa në një lidhje live foli kreu i FSHF, Armand Duka dhe disa prej lojtarëve të Kombëtares.

Një shpjegim vërtet shumë interesant erdhi nga Armand Duka sa i përket arsyes se përse Silvinjo mbështet skemën me 23 lojtarë për t’i grumbulluar në Gjermani dhe jo atë me 26 futbollistë, që përkrahin shumë prej trajnerëve të tjerë.

“Është e vërtetë që është bërë një mbledhje mes trajnerëve që do të jenë pjesë e Europianit dhe ka pasur propozime për ta rritur numrin e lojtarëve të thirrur në 26 lojtarë. Është diskutuar teknikisht, Silvinjo nuk ka qenë në këtë takim, por ai dëshiron që të mbetet me 23 lojtarë kjo skemë. Nuk është i vetmi që e mendon këtë, janë të ndarë mes atyre që duan skemën me 23 dhe atyre që e duan me 26. Janë të ndarë dhe kanë argumentat e tyre pro dhe kundër.

Të gjitha këto mendime do të vijnë për diskutim në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv në 22 maj në Dublin. Nëse do të më lejohet të jap mendimin tim, unë sigurisht që në atë mbledhje do të mbështes mendimin e trajnerit të Shqipërisë. Argumentat e Silvinjos janë që grupi mund të menaxhohet më mirë, të ketë më shumë rezultat me 23 lojtarë. Pra nuk do të heqësh lojtarë që t’i lësh në tribunë dhe ata mund të prishnin atmosferën e skuadrës, por do të jenë të gjithë aktiv në stol dhe në fushë. Por edhe sa i përket menaxhimit, pasi të gjitha programet e stërvitjes bëhen me 22 futbollistë dhe 1 portier që mund të ngelet jashtë fushe”, tha Duka. /Sport Ekspres/