Të dielën, java e 12-të e Kategorisë së Parë, në fushën e Pezë Helmës, ka thirrur përballë tyre dy skuadra nga më të vjetrat në historinë e futbollit shqiptar, Dinamo-Vllaznia. Në moshën e tyre që nga krijimi e deri më sot (Dinamo 68 vite dhe Vllaznia 98), kanë luajtur më shumë në Superiore, duke fituar tituj e kupa, njëherësh kanë qenë edhe pjesë e ndeshjeve të shumta, të bukura e mbresëlënëse në Europë.
Dinamo 18 herë Kampione dhe Vllaznia 9 herë, me 27 titujt që kanë fituar, në këtë sfidë e nisin nga zero, në inferiore. Sepse të dyja “lëngojnë” në kategori inferiore dhe kalendari të dielën në mesditë i ka vendosur në provë, se cila prej tyre është më shumë e “përmalluar” të shkojë në elitë. Në ndeshjen e fazës së parë në Shkodër, Vllaznia fitoi 2-0 me dopietën e Tafilit, dhe në 11 javë ka grumbulluar 28 pikë. Dinamo ka 7 pikë më pak dhe renditet në vendin e 3-të, dhe e 12-ta i ka thirrur të dyja në këtë test, që për shkodranët ka më shumë aromë Superioreje.
Por, ish-trajneri i të dyja këtyre skuadrave vite më parë, Agim Canaj, sot ka një tjetër këndvështrim, duke mos e nënvleftësuar historinë. “Në fakt, janë dy skuadra të mëdha në elitën tonë, që fatkeqësisht janë në kategori inferiore, për shumë arsye. Ndodhin të tilla çudira, por që në këtë hapësirë shkodranët janë më të pasur në historinë e tyre, ndërsa Dinamo ka më shumë tituj kampionë të fituar”, kështu theksoi për Sportekspres.com Agim Canaj, ish-trajner i Dinamos e Vllaznisë.
Për ndeshjen e ditës së diel si favorite veçon skuadrën shkodrane. “Unë e kam parë edhe ndeshjen e fazës së parë mes tyre ku Vllaznia fitoi me meritë 2-0. Atëhere Dinamo ishte në konsolidim e sipër, ndërsa sot ka një frymë të re dhe një ambient optimist. Kjo situatë e bën edhe më të vështirë sfidën, njëherësh edhe parashikimin tim, ndaj them se cilido që të jetë rezultati, të dyja janë të denja që të ngjitën në Superiore”.