Dikur shkonim te ata me çdo kusht, sot vijnë ata te ne me dëshirë!

0

Itali-Shqipëri / De Biazi është emblema e suksesit të një italiani që vjen në Shqipëri për të stërvitur, për të fituar zemrën e popullit dhe mbushur xhepat e tij. Por, rruga ishte hapur që me klubet. Partizani rekordmeni, me Julianon bëhen katër

Speciale nga Anton Cicani

“Kur mbërrita në Shqipëri, natën e parë që fjeta, u detyrova të vija karrigen pas dere, sepse kisha frikë për atë që më kishin thënë për vendin tuaj”. Kjo nuk është një copëz e skenarit të një filmi horror, por pjesë e historisë kuqezi të Xhani De Biazit, trajneri Italian që mbërriti thuajse si i panjohur në Tiranë dhe që u largua nga aeroporti i Rinasit si një hero. Sepse, i tillë u bë dhe do të mbetet.

Një Italian që vjen, fiton dhe largohet, me pasaportën shqiptare dhe me një nofkë që do të mbajë gjatë… “Gani Abazi”. Ndoshta, kështu ishte shkruar, ndoshta kështu e ndërtoi ai karrierën, por fakti që Armand Duka, numri 1 i futbollit tonë ka preferuar që të vijojë me linjën axurre, pra të komshinjve tanë përtej Adriatikut, do të thotë se i beson kapacitetit të tyre.

Që Shqipëria të kërkojë një Italian është normale, pasi janë shumë faktorë në mes që e lehtësojnë këtë marrëveshje, por që tashmë në të ashtuquajturin Bel Paese janë duke menduar gjithmonë e më shumë për Shqipërinë, kjo është diçka shumë pozitive. Dikur shiheshim si vendi ku edhe pushimet s’mund të kaloje, ndërsa sot jemi bërë destinacion. Jetohet mirë, hahet mirë, qëndrohet mirë, kafet janë plot, restorantet janë plot, mirëqenia është rritur, moda ka pasur një boom dhe jemi europianizuar. Atëherë, pse të mos shkosh në shtëpi? Fundja, mërzia të bën vetëm të presësh një biletë avioni dhe për 1 orë je sërish në vendlindjen tënde.

Bepe Dosena, eksperienca me e hidhur e nje italiani ne drejtim te kombetares se Shqiperise. Pas tij, mberriti De Biazi dhe tashme kemi Panuçin

Kristian Panuçi, në përshtypjet e tij të para në Shqipëri do të tregonte: “Mendoj se Shqipëria është rritur edhe si ekonomi. Keni bërë hapa të rëndësishëm në futboll dhe kudo. Shoh njerëz të edukuar dhe më pëlqen shumë Tirana”…

Nuk është i pari, s’do të jetë i fundit. Sepse, bizneset e Call Center po lulëzojnë dhe mbajnë në punë një përqindje të lartë të popullsisë. Dhe, shumica e pronarëve apo administratorëve, apo fushatave, kanë qendrat e tyre në Itali, por stafin në Shqipëri…

Dikur shkonim me anije drejt Italise, pasi perfundoi regjimi diktatorial dhe nisi demokracia, sot jane italianet ata qe vijne te ne…

Kemi shkuar me anije, në vitet kur diktatura do të merrte fund dhe kur kufijtë do të hapeshin, ndërsa sot janë ata që luten të vijnë te ne… Ashtu sikurse telefoni i Armand Dukës, presidentit të FSHF-së, pas largimit të De Biazit, është plot me mesazhe: Malezani, De Kanio, Kamoleze e shumë emra të tjerë. Nga Italia në Shqipëri. Një trend që po bëhet edhe më i bukur.

Iku koha kur në Shqipëri mbërrinte Bepe Dosena dhe merrte një thes me para, duke lënë grumbullimin në mes të natës dhe hipur avionit për në Libi. Iku koha kur këtu vinin për të fituar shumë para, teksa firmat Piramidale lulëzonin dhe shpërndaheshin paratë sikur të isha dita e rrogës në kohën e regjimit komunist.

Jemi kthyer në destinacion dhe s’e kemi kuptuar. Sepse, të paguash sot një trajner nga 10 deri në 20 mijë euro në muaj nuk është pak.

Kristian Panuçi, trajneri i ri i Shqiperise

E kështu, pas Dosenës dhe De Biazit, kombëtarja zgjodhi një tjetër Italian, Kristian Panuçin, duke vijuar këtë traditë. Por, kombëtarja nuk është e vetmja, sepse këto vitet e fundit edhe klubet janë ato që kanë bërë një farë revolucioni. Duhet theksuar se tashmë presidentët e kanë më të lehtë tí besojnë një italiani se sa shqiptari.

Merrni rastin e Tiranës, që bie në Kategorinë e Parë, i duhet të ringrihet, por arrin të marrë një si Ze Maria, që ka luajtur në Serinë A. Por, rasti më i bujshëm është ai i Agostinelit, që nga Partizani i vendit të dytë, shkoi te vendi i parë, Skënderbeu, atë vit kur nuk fitoi dot titullin. Dy skuadra ‘big’ dhe një interesim, edhe pse i vakët, edhe i Kukësit.

Andrea Agostineli, ish trajneri i Skenderbeut dhe Partizanit

Agostineli dhe jo vetëm, sepse Partizani këto vitet e fundit ka afruar plot tre italianë, sigurisht nëse i radhës do të zyrtarizohet Juliano. Agostineli, Sormani dhe Juliano. i pari bëri shumë mirë, por nuk solli titullin. Tashmë është pa  skuadër dhe në kërkim.Një ftesë nga Shqipëria do të isht5e si ujë i bekuar për të dhe interesohet shpesh. Në anën tjetër, Adolfo Sormani, me një të shkuarën në ligat e ulëta, pas Europa League dhe Champions bëri gati valixhet, por nuk iu dha kohë. Nuk shkonte mirë me ambjentin. Një aventurë e shkurtër në Kinë me Ferrarën  dhe më pas në Danimarkë, aty ku sot drejton Vejlen dhe mori nga Partizani një lojtar që ai e rriti, Ramadanin.

Menekini, dikur drejtonte Tiranen, sot eshte ne stolin e Salernitanes

E megjithatë, Partizani i tha “ciao” një italiani që në vitin 2002, kur në Shqipëri mbërriti Ticiano Gori trajner. Një histori e bukur ajo e tij, që bashkë me bashkëshorten do të linte Italinë. Ai do të stërviste të kuqtë, ndërsa gruaja do të jepte mësim te shkolla e mesme Asim Vokshi.

Tre vjet pas Ticiano Gorit, edhe Tirana do të afronte një Italian. Bëhej fjalë për Leonardo Menikikin, aktualisht trajnerin e Salernitanës në Serinë B. Pikërisht pas bardhebluve, atij do t’i ecte mjaft mirë, duke drejtuar në Serinë B dhe C1, teksa vazhdon të jetë një trajner i pëlqyer. Vetëm një sezon, natyrisht, qëndrimi në kryeqytet.

Roberto Sorrentino, ish trajneri i Teutes

Sakaq, Teuta, gjithashtu, në sajë të faktit që Italinë thuajse e sheh me  sy  të lirë, duke qenë larg vetëm 6 orë me traget, gjithashtu në dekadën e fundit ka afruar trajnerë italianë.

Në 2013-n, Roberto Sorrentino, ish-lojtar i Katanias, Kaljarit dhe Bolonjës, do të merrte drejtimin e Teutës, teksa vetëm një sezon gjati. Pas tij, 3 vjet më vonë, Cezare Bexhi do të ishte italiani tjetër te djemtë e detit, edhe pse gjithashtu s’do të bënte edhe aq mirë.

Nga një det në tjetrin… Në Vlorë, katër sezone më parë, do të mbërrinte Ernestino Ramela, që nga Kiaso në Zvicër do të drejtonte Flamurtarin për një sezon të vetëm dhe, më pas, u zhduk nga qarkullimi.

Nga jugu në veri. Në Shkodër, në sezonin 2014-2015 do të mbërrinte Baldo Raineri, duke dhuruar spektakël dhe duke u bërë shumë i dashur për tifozët. Festimi i tij si aeroplan është ende në sytë e shkodranëve, në një Loro Boriçi që nuk ishte ky tani, por ishte katandisur si mos më keq. Më pas, aventura e tij u spostua në Zvicër.

Praktikisht, italianët kanë drejtuar shumë skuadra shqiptare, teksa jetëgjatësia e tyre ka lënë për të dëshiruar. Me përjashtim të atij, Xhani de Biazit, Ganiut që kthehu tendencën negative, duke treguar se një Italian mund të bëhet edhe më shumë shqiptar se shqiptarët…

 

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.