Portieri i Vikingurit, Geza Turi ka thyer rekordin: është më i vjetri në Europë, në rolin e tij, që ka fituar kampionatin, edhe pse jemi thuajse në amatorizëm. “Por, dikur përballesha me Mançesterin!”
Anton Cicani
Portierët, historikisht, na kanë mësuar pak me gjithçka (përralla, drama, mistere, anekdota, por edhe magji), por disa histori është gjithmonë kënaqësi që t’i tregosh. Ndoshta sepse “të fitosh një titull pasi ke kaluar moshën 40 vjeç ka një tjetër shije dhe vlen më shumë se sa një karrierë e tërë…”. Quhet Geza Tamas Turi dhe është portieri hungarez që pasi ka shuar plot 42 qirinj mori edhe diplomën si kampion i Ishujve Faroer, me fanellën e Vikingur Gëta, skuadra që do të përballet ndaj Trepça ’89, fituesen e Superligës së Kosovës.
Por, historia e hungarezit është edhe ajo e një babai të përkushtuar, një familjari në shërbim të komunitetit teksa tregon se “gjatë ditës instaloj vetrata alumini, në mbrëmje stërvitem me skuadrën e parë dhe udhëheq U-16 e Vikingur (që për të pasionuarit e gjuhëve të huaja, prononcohet “Voçingur”), ku luan edhe im bir Geza David, 15 vjeç”.
E quajnë “babai” i skuadrës, jo vetëm sepse mosha e tij është e tillë, por sepse në klub fjala e tij vlen thuajse njësoj si ajo e presidencës… Dhe, dita e tërheqjes ende s’ka ardhur: “Them gjithmonë se do të tërhiqem dhe më pas nuk e bëj më. Çdo vit që nis supozohet të jetë i fundit, por mesa duket mbetet gjithmonë i parafundit. Ndoshta tani, me fitimin e titullit, mund të ketë ardhur momenti”, qesh Geza, teksa kujton se një tjetër “djalosh i ri” i dha fundin karrierës së tij vetëm pak kohë më parë. Po flasim për Gabor Kirali, datëlindja 1976, për të cilin respekti është fjala e parë që të vjen ndër mend: “Gabor është institucion. Ne hungarezët jemi shumë rezistentë”.
Teatri i Endrrave – Por, tërheqja nuk bën për të, sidomos tani që do të luajë turin paraeliminator të Champions League, pikërisht ndaj kampionëve të Kosovës. “Nëse tërhiqem, atëherë s’do të mund të riprovoj këtë kënaqësi”…
Pikërisht kështu, sepse Geza ka përjetuar këtë moment lavdie. Dhe çfarë lavdie: të luash në “Old Trafford”. Ishte 27 gushti 2002, minuta e 75 mes Mançester Junajtidit dhe Zalaegerzhegi, skuadër e vogël e Hungarisë Perëndimore, që vetëm disa muaj më parë fitoi titullin e saj të parë dhe të vetëm në histori. Në ndeshjen e vajtjes, maxharët arritën të shkruanin një nga faqet më të bukura, duke fituar 1-0 (sot luajnë në ligën e dytë) por në Angli nuk arritën të përsëriteshin. Ndeshja e kthimit ishte ajo e goditjes së dënimit të David Bekamit, festa e të cilit më pas u “shndërrua” në reklamën e famshme të locionit për rrojen e mjekrës.
Por askush s’e kujton që, 15 minuta nga fundi, hyri në fushë portieri i dytë i Zalaegerzhegit: jemi 3-0 për “Djajtë e Kuq” (Van Nistelroi, Bekam dhe Skols në 20’ e para – dhe maxharët ishin shtyrë përpara në kërkim të golit që mund të rihapte diskutimin kualifikim. Por, në kundërsulm, portieri Sasa Iliç del në mënyrë të çekuilibruar dhe “përplas” Van Nistelroin: penallti dhe i kuq.
Geza futet në lojë dhe pëson penalltinë dhe golin e pestë të Ole Gunar Solskjaer por “ishte eksperiencë e paharruar. Mbaj mend çdo çast të atyre 18 minutave, edhe shtesën, të luajtura në Teatrin e Endrrave. Ishte pika më e lartë e karrierës time”.
Në një tjetër ndeshje të turit paraeliminator të atij Champions, Milani rrezikonte eliminimin kundër Slovan Liberecit, teksa më pas mori edhe trofeun, në fund të një galopimi fantastik. E ngriti pikërisht në “Old Trafford”, duke mundur Juven. Aty ku Geza do të shkelte dhe realizonte ëndrrat…
Ku është? – Po thonim për karrierën e Gezas: “Te Zalaegerzhegi, përpara se të përfundoja në pankinë, mbroja portën si titullar deri në vitin 2000. Më përpara, megjithatë, vetëm eksperienca në fushën diletante me Kestheli, Shepel dhe Dnakezhi në vitet ’90. Atmosfera e Champions bëri që të lindte brenda meje një dëshirë e madhe për një përvojë jashtë vendit”.
Kështu, pas dy vitesh të tjera në atdhe me fanelën e Fehervar dhe Tatabania “në 2006 mora në konsideratë një propozim shumë të veçantë. Vinte nga Ishujt Faroer, që shumë rrallë kisha dëgjuar si vend. Më donte një skuadër e quajtur Gëtu Itrotarfelag (o, në versionin e shkurtër, Gl Gëta). Pranova dhe, në moshën 32-vjeç, e gjeta veten në avion, drejt të panjohurës, duke braktisur Hungarinë”.
GI Gëta është versioni i vjetër i Vikingurit, që do të krijohej pasi u shkri klubi i vjetër për të cilin firmosi Geza, pra LIF (në versionin e gjatë, Leirvik Itrotarfelag): “Mund të thuhet se mbërrita më përpara unë se sa skuadra për të cilën fitova titullin”, qesh Geza. “Titulli, i pari për klubin e ri, ishte emocion unik: e fituam në javën e fundit, në transfertë, në fushën e Argja Bëlfelag, falë golit të Sëlvi Vatnhamar dhe dopietën e sulmuesit Andreas Lava Olsen. Fituam 3-1 duke shkuar 1 pikë larg Klaksvikut”.
Mes vikingëve – “Fitorja jonë ishte një surprizë e jashtëzakonshme: na mbështesnin një sërë tifozësh të zhurmshëm dhe të veshur si vikingë. Futbolli dhe jeta në Far Oer? Në radhë të parë është shtëpia ime e dyte: vendi, Nororagëta, në të vërtet është një fshat me 550 banorë me një qetësi të papërshkrueshme.
Këtu, topi është vetëm zbavitje dhe argëtim i ditës. Dhe kështu do të jetë përgjithmonë. Por, shihni progresin e Islandës: kush mund ta mendonte? Edhe këtu jemi rritur shumë: falë të huajve, që në 10 vitet e fundit kanë rritur nivelin e kompeticionit.
Dhe, mbi të gjitha për këtë motiv, kombëtarja që dikur pësonte goleada sistematike, tani ka edhe luksin të mundë Greqinë, dy herë në ecurinë drejt Euro 2016, dhe Letoninë, në kualifikueset e tanishme të Botërorit 2018. Madje, barazuan edhe ndaj Hungarisë time… Mos e nënvlerësoni, sepse këtu futbolli po kthehet në pasion dhe përkushtim”.