Dikur i shënoi Shpresave kuqezi, kush është zbulimi i Moxhit?

 

Sipas medieve italiane, hungarezi Kristian Adorjan do të jetë goditja e Partizanit, ndërsa mesfushori hungarez u rrit në Akademinë “Reds”. Por, ka edhe kujtime nga “Niko Dovana”

Pak nga pak, Partizani i ri po merr formë dhe po kompletohet me emra mjaft interesantë. Nëse deri tani qarkullonin emra pak të njohur, nga Lega Pro, tashmë të kuqtë bëjnë gati një goditje të madhe, ose më saktë e kanë kryer, nëse u besojmë mediave në Itali. Tuttosport shkruan se Partizani ka marrë nga Novara mesfushorin Kristian Adorjan.

Tashmë 24 vjeç, Adorjan është pjesë e kombëtares hungareze, ndërsa është rritur te MTK e Budapestit, por në vitin 2009 e bleu Liverpuli. Disa vite me të rinjtë e “The Reds”, një sezon te Groningeni në Holandë në huazim (19 ndeshje e 3 gola) para kalimit në Itali, te Novara, në vitin 2014. Aty Adorjan është bërë i rëndësishëm në sezonin e fundit, duke luajtur 25 ndeshje e duke shënuar 2 gola. Mesfushor ofensiv, Adorjan i sjell Partizanit fantazi dhe organizim, natyrisht në pritje të zyrtarizimit nga vetë klubi i kuq, që deri tani nuk ka zyrtarizuar asnjë lëvizje, përveç trajnerit Mark Juliano.

Por, ka edhe dy kuriozitete për lojtarin në fjalë. Kristian Adorjan është rritur te MTK Budapesti, por shumë i ri, kur ishte vetëm 16-vjeç, u transferua në Akademinë e Liverpulit, duke u bërë një “reds” dhe duke zhvilluar kampionatet e moshave dhe ato “rezervë”. Megjithatë, në sezonin 2013-2014, kur ishte gati për të bërë hapin e madh, edhe pse u grumbullua në fazën përgatitore me ekipin e parë, Brendan Roxhers nuk e përzgjodhi për të qenë pjesë. Nga aty, transferimi në huazim te Groningeni në Holandë e, në fund, shitja te Novara për 750 mijë euro. Por, ka edhe një histori që për ne shqiptarët është pak e hidhur, pasi në “Niko Dovana” shumë pak e mbajnë mend… Ishte 7 korrik 2013 dhe Adorjan shënonte një nga golat e fitores 2-1 të Hungarisë U-21, ndeshje e vlefshme për Europianin. Për U-21 e Shqipërisë do të realizonte Gjelbrim Taipi.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *