Di Françesko: Derbi vlen për të ardhmen e Romës, jo timen!

Seria A nuk ka nisur ashtu siç duhet për ekipin e Romës. Kryeqytetasit kanë pasur një ecuri jo pozitive këtë fillim sezoni, teksa numërojnë vetëm 8 pikë në 6 ndeshje të luajtura. Pikërisht ditën e nesërme, Roma ka mundësinë të largojë përfundimisht hijet e krizës, pasi përballë do të ketë rivalët e tyre më të urryer, pra Lacion. Për këtë sfidë ka folur trajneri i verdhekuqve, Eusebio Di Françesko, i cili është shfaqur modest në fjalët e tij përpara derbit.

RIKUPERIMI I MANOLAS
– “Është për t’u vlerësuar sot, sepse ka pasur dhe disa probleme të vogla. Gjithsesi sot dhe nesër do të vendosim. Manolas është një lojtar në dyshim.”

DE ROSSI – “Kjo nuk është një sakrificë, çdo lojtar gjithmonë dëshiron të jetë në fushë në një ndeshje të tillë. De Rossi ka karakteristika të ndryshme dhe është një ndër më të rëndësishmit. Lodhja mund të jetë më shumë mendore sesa fizike, por De Rossi nesër do të jetë kapiteni i ekipit tonë.”

TITULLI KAMPION – “Ne nuk jemi pretendentë dhe fusha e ka treguar këtë, na vjen keq të jemi kaq shumë prapa. Por po punojmë për të rikuperuar pikët që kemi humbur në renditje. Duhet të përmirësohemi çdo ditë, besoj në rritjen e ekipit dhe do të përpiqemi të ngjitemi në tabelën e renditjes.”

LËKUNDJA E STOLIT – “Ndeshja është e rëndësishme për të ardhmen e Romës, jo për mua. Unë përfaqësoj Romën dhe përpiqem të bëj më të mirën për të vijuar, duke e mbajtur fanellën e këtij klubi afër. Unë do të përpiqem të bëjë gjithçka për ekipin, jo për Eusebio Di Françeskon.”

MESFUSHA – “De Rosi dhe Nzonzi bënë një punë të mirë ndeshjen e fundit. I vlerësoj që të dy shumë si lojtarë. Kanë karakteristika të jashtëzakonshme. Gjithashtu kemi mesfushorë të tjerë si Kristante dhe Pelegrini, por në këtë moment duke luajtur 4-2-3-1 për ta është pak më e vështirë.”

Në fund trajneri u pyet dhe për marrëdhënien e tij me tifozët, të cilët nuk është se e kanë kritikuar shumë trajnerin për ecurinë jo të mirë, por përkundrazi i kanë dal në krah.

MARRËDHËNIA ME TIFOZËT – “Jam i interesuar që tifozët të duartrokasin djemtë dhe jo trajnerin, lojtarët janë protagonistët që na bëjnë të fitojmë ndeshjet. Tifozët romanistë u panë dhe në Bolonjë, na kanë mbështetur deri në minutën e 85-të pa pushim. Do të jetë detyra jonë t’i shpërblejmë ata.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *