Të gjithë e kujtojnë dhunën e ndodhur në muajin prill të këtij viti përpara ndeshjes, Liverpul-Roma. Nga përleshja e tifozëve, pasoja më të rënda patën nga krahu i “The Reds”. Tifozi i të kuqve, Sean Koks ra në koma, pas dëmtimeve të rënda që pësoi në tru.
Ndërkohë, një prej ultrasve të Romës, Filipo Lombardi, i cili u dënua për këtë akt me 3 vite burg, ditën e sotme është liruar. Në gjykatën e Prestonit, Lombardi pranoi se ka qenë pjesë e trazirave të ndodhura, por gjithashtu shtoi se ai u vetëmbrojt, pasi mbështetësit e Liverpul u treguan agresivë.
Në dëshminë e tij gjithashtu 21-vjeçari shprehu pendim për atë çfarë kishte ndodhur.
“Nuk e kuptova se çfarë po ndodhte me Sean Koks. Ndihem shumë keq për atë çfarë ka ndodhur dhe është një situatë shumë, shumë e tmerrshme për familjarët e tij. Nuk jam i përfshirë në përleshjen që ndodhi”, tha në dëshminë e tij italiani.
Filipo Lombardi u dënua me tre vite fillimisht për aktet e ndodhura në muajin prill. Dënim, të cilin italiani 21-vjeçar e kishte pranuar.