Dëmtimet janë kthyer në makthin e Totenhemit në këtë fillim sezoni. Tashmë, trajneri Poçetino ka marrë edhe një lajm të keq nga infermieria, ku Jan Vertonghen do të qëndrojë plot gjashtë javë larg fushave të lojës.
Mbrojtësi belg u dëmtua gjatë fundjavës së kaluar në fitoren përballë Hadërsfilld, ndërsa nuk luajti në ndeshjen e Champions League përballë Barcelonës. Lëndimi muskulor rezultoi më serioz nga sa mendohej dhe tashmë lojtari pritet të rikthehet në fushë me “Spurs” vetëm në fund të muajit nëntor.
Lajmi i keq rreth 31-vjeçarit u konfirmua nga trajneri i Belgjikës, Roberto Martinez, i cili do të humbasë shërbimet e mbrojtësit për agazhimet e radhës. “Jan Vertonghen do të mungojë dy ndeshjet e radhës. Ky është një lajm i keq”, tha Martinez.
Nëse do të qëndrojë gjashtë javë larg fushave, lojtari do të humbasë ndeshjet ndaj Kardif Sitit, Uest Hem, Mançester Sitit, Volves dhe sfidën e Champions League ndaj holandezëve të PSV Eind’hoven. Vertonghen ka qenë një prej titullarëve të padiskutueshëm të Totenhemit në këtë sezon, me skuadrën që është në krizë dëmtimesh, pas vetëm shtatë javëve të para në Premier Ligë.
Mes yjeve të tjerë, gjatë mesjavës në Champions londinezët nuk kishin në dispozicion as Musa Dembele, Dele Ali dhe Kristian Eriksen. Por, sipas trajnerit Poçetino, skuadra nuk do t’a përdorë situatën me dëmtimet e shumë lojtarëve si justifikim.