Devolli: Sot na mungoi fati, ja çfarë i kam kërkuar presidentit

Kastrioti zhvilloi një ndeshje të mirë, por nuk ia doli të evitonte humbjen përballë kryesuesve të Partizanit. Bledar Devolli ka folur pas ndeshjes në emisionin “Gol pas Goli” në “SuperSport”, duke vlerësuar paraqitjen e djemve të tij, sidomos në pjesën e parë.

Gara për mbijetesë vazhdon dhe trajneri bën thirrje për pune e besim, ndërsa vlerëson grintën dhe dëshirën e ekipit të tij.

NDESHJA – “Sinqerisht, është për të ardhur keq, pasi kemi bërë një ndeshje të shkëlqyer. Nuk arritëm të shënonim dhe është për të ardhur keq. E vumë në vështirësi kundërshtarin. Ata kanë një super portier, shënuan një super gol, këto ishin diferencat e vetme. Duhet të shënonim patjetër në gol, ua kërkova dhe zëvendësuesve, por nuk ia dolëm.”

EKIPI – “Kur erdha këtu, mungonte vetëm besimi, pasi kanë shumë cilësi dhe shumë kualitet. Ndeshjet e para treguan këtë gjë, madje edhe sot u pasqyrua. Deri sa të na mbajë në lojë matematika, do të besojmë deri në fund te mbijetesa. Jam pak pishman nga kjo ndeshje, pasi patëm shumë momente të mira. 2-3 goditje standarde dhe mund të shënonim, milimetrat na ndëshkuan. Por e thashë, luajtëm kundër Partizanit dhe i përgëzoj për fitoren.”

INCIDENTI – “Edhe pas ndeshjes me Korçën, e thashë që u luajt futboll, gjithçka ishte Fair Play. Analiza është e thjeshtë: Dimë të luajmë futboll dhe t’i hapim punë skuadrave.”

SULMI – “Prisja më shumë nga Jurgeni, ta mbronte topin më mirë, të na merrte përpara. Por po shikoj një Jurgen tjetër dhe nuk është ende gati, pasi ka probleme dhe nuk ka luajtur rregullisht. Roxheri do të shënonte, por u ndesh me një Alban Hoxha spektakolar. Nëse do ishte dikush tjetër, Roxher do të shënonte, pasi e bëri punën ë vet.”

MUNGESAT – “Kishim problem mungesën e Huseinit, pasi është një mbrojtës tipik i djathtë. Por unë jam trajner që nuk gjej justifikime te mungesat, por kërkoj maksimumin tek të gjithë ata që aktivizoj. Por nuk do mend që mungesa e Huseinit na dëmtoi, pasi nëse do të ishte në lojë ai, mund të flisnim ndryshe. Diferencat e individëve që ka Partizani e fituan ndeshjen.”

OBJEKTIVI – “Trofeu ynë është mbijetesa. Do të bëjmë gjithçka për të qëndruar në Superiore, pasi e kemi kualitetin dhe e dimë që mund t’ia dalim. Na duhet dhe shumë fat, që në ndeshjen e sotme na mungoi.”

TERRENI – “Të jem i sinqertë, unë si trajner dua të luaj në fushë asnjanëse, por duam të luajmë futboll, pasi kemi mundësi dhe kualitete. I kam kërkuar presidentit të luajmë në Elbasan, pasi ne e meritojmë të tregojmë futbollin tonë, që për mua ka shumë kualitet dhe është shumë cilësor.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *