Ka qenë një sezon fantastik ai i Devollit në Kategorinë e Dytë, sepse për një kohë të gjatë ka qëndruar pranë kreut dhe para ndeshjes në Patos të dielën kishte fituar 5 takime rresht. Një skuadër e organizuar bukur, me lojtarë me eksperiencë edhe në kategoritë e mësipërme, si portieri Daniel Lamellari, mesfushori Fabjan Nallbati e sulmuesi Artnand Tahirllari, ndaj ambiciet sa vinin e shtoheshin.
Në Patos erdhi një humbje 1-0, që ka shuar shpresat për dy vendet e kreut, por disfata ndaj Albpetrolit është shoqëruar me shumë polemika. Tifozët e Devollit, grupimi “Devolli Ultrasit”, kanë mbetur mjaft të zhgënjyer nga arbitrimi i gjyqtarit Skerdi Greca, duke dalë edhe me një deklaratë ku protestojnë ashpër ndaj një gjykimi që sipas tyre ka çuar te humbja.
“Respekte për këta çuna, të cilët japin shpirtin në fushën e lojës. Haram ata që nuk vlerësojnë djersën e tyre, por një fjalë thotë: “Kur nuk të mund dot kundërshtari, në fund të mund arbitri”. Bravo çuna, ju keni bërë krenar një qytet të tërë për atë futboll të pastër dhe të ndershëm, por kur sundon korrupsioni, nuk bëhet dot futbolli. FSHF me gjyqtarët e saj është drejt greminës derisa një ditë do të rrëshqasin këmbët dhe në gropat që hapin për të tjerët do të bien vetë. Forca KS Devolli, Ecim së bashku”.