Musa Mohamed ishte kapiten i Gor Mahias deri në janar, kur vendosi të largohej pas thuajse 9 sezonesh, për t’u bashkuar me Ze Marinë në Shqipëri, te Tirana.
Klubi bardheblu ka vite që afron lojtarë nga Afrika, herë me fat, si në rastin e Mervej, e herë pa fat, si në rastin e Musa, i cili në 3 muaj në Shqipëri nuk u duk asnjëherë një garanci në qendër të mbrojtjes dhe forma e tij e dobët bëri që klubi të acarohej me Ze Marinë, i cili kërkoi me ngulm atë dhe Kenet Mugunën, i cili do të qëndrojë, edhe pse ka kushtuar shumë.
Tani Musa Mohamed është larguar, ka prishur kontratën me Tiranën dhe “nairobinews” e quan një mallkim: “Musa Mohamed është lojtari i fundit kenian që është goditur nga ‘mallkimi’ Tirana, pas dështimeve Kahata, Situma e Arita”.
Vetë Mohamed, duke folur për “Capital Sport”, ka shpjeguar: “Vendosa ta ndërpres kontratën për disa probleme, disa personale e disa financiare. Ka qenë një eksperiencë që më ka hapur sytë dhe tashmë do të shoh për sfida të tjera”.
Ndërkaq, trajneri Ze Maria ka fajësuar ambientimin, pasi sipas tij Musa ka hasur vështirësi të mëdha në çdo drejtim. Qendërmbrojtësi luajti vetëm 6 ndeshje mes kampionatit e kupës dhe nuk ka zbritur më në fushë që prej fillimit të marsit.