Ish-drejtori tregon se çfarë i tha trajneri i Sherifit pas ndeshjes me Kukësin, si dhe komenton merkaton e kampionëve të Shqipërisë
Jurgen Zela
Edhe pse me angazhime larg Shqipërisë, Dritan Dervishi nuk lë jashtë fokusit kampionatin shqiptar. I angazhuar matanë Adriatikut, saktësisht me skuadrën e Veronës në Itali, ish-drejtori i përgjithshëm i Kukësit dhe Partizanit nuk lë jashtë vëmendjes performancën e skuadrave shqiptare në arenën ndërkombëtare. Aventurën me Kukësin u ndërpre në mes, duke lënë përgjysmë projektin e nisur, megjithatë verilindorët arritën që të marrin titullin dhe t’i gëzohen pjesëmarrjes në Champions League. Shorti vendosi që kuksianët të përballen me homologët e tyre moldavë, Sherifin e Tiraspolit. Prej vitesh në Itali, Dervishi ka punuar dhe me trajnerin aktual të Sherifit, italianin Roberto Bordin, dhe e njeh mirë atë. Për “Sport Ekspres” Dervishi tregon se çfarë i ka thënë tekniku italian pas ndeshjes me Kukësin, shanset e verilindorëve për kualifikimi, atë çfarë nuk shkoi në ndeshjen e parë, merkaton dhe incidentet në tokën austriake. Nuk mungon dhe një analizë e shkurtër e skuadrave shqiptare në kupat e Euopës. I ftuar nga presidenti Gjici, ish-drejtori i kampionëve tregon se për kë do të bëjë tifo të mërkurë.
Duke parë ndeshjen e parë, a ishte Kukësi në pritshmëritë tuaja?
Prisja me shumë në sulm nga Kukësi në këtë takim. Nuk mund të shkosh aty vetëm për të mos pësuar. Për mendimin tim këtu ishte gabimi i vetëm i Gjokës.
Kukësi ka bërë disa afrime këtë verë, mendoni se tashmë është i kompletuar dhe a iu ngrohu paraqitja e këtyre prurjeve në takimin e parë?
Klubi ka investuar mjaft. Asgjë nuk ju la rastësisë. Mendoj se janë afrime me cilësi.
Serran shkaktoi penalltinë.
Spanjolli luajti mirw, por mw habiti me atë gabim që bëri. Nëse do ta bënte ndonjë shqiptar, do të akuzohej nga “Federbeti”.
Humbje minimale, ndeshja e kthimit të mërkurën, sa shanse ka Kukësi që ta përmbysë këtë rezultat dhe çfarë duhet të ndryshojë që të arrijë tek suksesi? Sa mund të ndikojë fakti që ndeshja luhet në Elbasan?
Së pari, Kukësi në Elbasan nuk është i favorizuar, prandaj u bëj thirrje tifozëve të Kukësit dhe atyre elbasanas të shkojnë ta ndihmojnë skuadrën. Së dyti, rezultati 1-0 është rezultat si thikë me dy presa, por në futboll asgjë nuk është e pamundur. Unë besoj tek përmbysja.
Në Austri Kukësi kaloi një “incident” me policinë vjeneze, si e komentoni këtë ngjarje dhe mendoni se ndikoi tek futbollistët?
Është një turp qw forcat e policisë kanë vepruar në atë mënyrë. Për mua është skandal, pasi nëse ke dyshime mblidh prova dhe denonco, jo me veprime prej banditwsh. Kjo është e turpshme.
Keni punuar me trajnerin e Sherifit dhe e njihni mirë lojën e tij, si i shihni kundërshtarët e Kukësit, një analizë nga ana juaj?
Bordin është trajner që studion mirë ndeshjet, shumë i përgatitur dhe motivues, 1-0 është rezultat fantastik për të. Kam folur pas ndeshjes me të dhe më tha: Koliçi nga vjen? Nga cirku? Fantastik, pa të ndeshja do të mbaronte 4-0.
Do të vini për të ndjekur ndeshjen? Nëse po, për kë do të bëni tifo, duke marrë parasysh faktin që keni punuar me të dy trajnerët?
Un do të vij, pasi më ka ftuar dhe presidenti Gjici, por unë kurrë nuk bëj tifo për një skuadër të huaj përballë një skuadre shqiptare. Jam me Kukësin, ashtu siç jam dhe me Skënderbeun.
Partizani dhe Tirana u eliminuan nga kupat e Europës, Skënderbeu avancon më tej, si e shihni paraqitjen e klubeve shqiptare në arenën ndërkombëtare këtë verë?
Partizani nuk e mori seriozisht me këtë kompeticion. Çdo ditë nga kampi i kuq vinin sinjale që në Europë nuk do kalonin, sikur të kishin përballë Realin, pastaj si mund të pretendosh të kalosh ture, kur ti largon lojtarët më të mirë? Si ecet përpara kur nuk bën asnjë ndeshje kontrolli? Jo, nuk arrij t’i konceptoj gabimet e të kuqve. Tirana s’kishte çfarë të bënte më shumë. Një skuadër që ka probleme madhore dhe ende presidenca nuk e kupton se ku kanw rënë. Në fund, dua ta mbyll me: Forca Kukësi dhe forca Skënderbe!