Menjëherë pas publikimit të lajmit se Ismail Morina, i njohur nga të gjithë si Ballisti, do të ekstradohet drejt Serbisë me urdhër të Gjykatës së Shkallës së Parë në Koraci, ka pasur reagime të shumta. Ish-drejtori i Partizanit dhe Kukësit, Dritan Dervishi, për “Sport Ekspres” ka dhënë mendimin e tij për këtë çështje, duke kërkuar ndërhyrjen e kryeministrit të vendit, për të evituar çdo rrezik të mundshëm, për “heroin” e mbrëmjes së 14 tetorit: “Në këto momente që të gjithë flasin për merkato, një djalë shqiptar rrezikon ekstradimin drejt Serbisë. Ballist Morina është hero për mua dhe unë si qytetar i këtij vendi i kërkoj qeverisë tonë të mbrojë të drejtat e një qytetari të pafajshëm. Nuk mund të ekstradohet në një vend si Serbia që ka një urrejtje për çdo shqiptar, aq më tepër për Ballist Morinën. Kërkoj nga kryeministri të ndërhyjë për të mbrojtur Morinën me forcë, se një shtet që nuk mbron djemtë e tij është një shtet i falimentuar”, përfundon Dervishi. Kuksiani ishte autori i ngritjes së flamurit “Autochthonous” në ndeshjen Serbi-Shqipëri, e cila u fitua në tavolinë nga kuqezinjtë, për shkak të ndërprerjes së ndeshjes pas dhunës së ushtruar nga serbët.
Nëse do të ndodhte që Morina të ekstradohej në Serbi, atëherë seriozisht jeta e tij mund të vihet në rrezik.