Derbi i kryeqytetit, Tirana nuk e ndal dot Partizanin

Partizani në basketboll për meshkuj ka shënuar fitoren e tretë radhazi, ndërsa e kryeson kampionatin tashmë i vetëm me 6 pikë. Skuadra e kuqe e drejtuar nga Arben Fagu dhe Artan Terihati ka triumfuar në derbin ndaj Tiranës, që është luajtur në mbrëmje në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” dhe që ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.

75-53 ka qenë rezultati përfundimtar, që konfirmon dominimin e plotë të skuadrës së kuqe, e cila mund dhe duhet të kishte një rezultat më të thellë. Partizani është shkëputur fillimisht 4-0. Me shumë zor Tirana afrohet në 4-3. Pikë më pikë dhe çasti kulmor është trepikëshi i Voglit, që barazon në 10-10, por përgjigjet me të njëjtën monedhë Jani dhe menjëherë Partizani shkëputet në 17-12 derisa merr periodën e parë 19-12.

Ka një black-out të Tiranës, që e shfrytëzon Partizani, i cili me një avantazh të pjesshëm 7-0 është shkëputur në 26-12. Trepikësh Vogli dhe Tirana afrohet, madje në fundin e periodës së dytë ka shënuar tre trepikësha Shima dhe Partizani në pushim ka kryesuar 41-27, që do të thotë se të kuqtë e kanë fituar periodën e dytë 22-15.

Tirana e orientuar nga Erkand Karaj ka një qasje ndryshe në periodën e tretë, që e fiton 16-22 dhe ngushton në 57-49. 18-4 e fundit dhe në përfundim 75-53 për Partizanin.

Ndërkohë. pasdite ka përfunduar dhe java e tretë e Kategorisë së Parë, atje ku Eagles Basket ka mundur Skënderbeun, 90-71, dhe tashmë kryeson e vetme me shpresën e madhe për t’u ngjitur përsëri në Superiore për meshkuj.

GJERGJ VYSHKA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *