Kjo fundjavë ka rezervuar një përballje shumë interesante në Kategorinë e Dytë, teksa në Kuçovë skuadrat e Naftëtarit dhe të Skraparit priten që të ndezin derbin e vogël të prefekturës së Berat.
Pritet një interesim shumë i lartë i sportdashësve nga dy qytetet fqinje, por ballafaqimin e këtij edicioni e bën akoma më shumë interesant fakti se për të parën herë në historinë e ballafaqimeve midis këtyre dy skuadrave, pozitat në tabelë janë të atilla sa që Naftëtari renditet në vendin e fundit dhe Skrapari pozicionohet më mirë dhe larg rrezikut të mbijetesës.
Akoma më shumë interesante e bën këtë derbi edhe fakti se në skuadrën e Skraparit aktivizohen plot shtatë futbollistë që janë aktivizuar më parë me Naftëtarin dhe që gjatë verës së kaluar janë konsideruar si të pavlefshëm nga ana e teknikut aktual të kuçovarëve Barjam Fraholli.
Duket se mjafton ky fakt, që të dielën e ardhshme të ndizet atmosfera në stadiumin e Kuçovës, ku në mbështetje të futbollistëve kuçovarë të Skraparit pritet të jenë edhe dhjetëra sportdashës vendas, të cilët e kanë kundërshtuar me forcë dhe publikisht teknikun Fraholli për largimin e S. Gegës, Kajos, Koroveshit, Pepës, Kopaçes, etj.
Kaq mjafton që derbi i prefekturës të ndizet ende pa u luajtur në fushë, ku përballë njëri-tjetrit do të vendosen trajneri Fraholli dhe futbollistët e njohur kuçovarë të Skraparit, që duan hakmarrje.
Edi Spahiu