Deputeti i Kosovës thirrje Qeverisë shqiptare, Haxhiu: Ligjin e sponsorizimeve e keni të gatshëm nga ne, nuk ka nevojë për përkthyes

Kërkesat e Ligës Profesioniste të Futbollit vazhdojnë të mbeten pezull nga Qeveria shqiptare, që refuzon t’i miratojë dhe t’i japë një frymëmarrje sportit vendas. Ligji aktual i sponsorizimeve ka nevojë për ndryshime, pasi nuk i nxit bizneset të investojnë paratë e tyre në botën e sportit. Ligji i Kosovës ka qenë gjithnjë një shembull i mirë për t’u zbatuar edhe në Shqipëri.

Tashmë është edhe vete Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Bekim Haxhiu, që në një intervistë për “TV Klan” i bën thirrje të fortë Qeverisë Rama të aplikojë ligjin e tyre për sportin shqiptar. Haxhiu thekson se rezultatet prej këtij ligji janë tashmë të prekshme dhe shihen nga të gjithë, ndërsa shton se në Shqipëri e kanë gjithçka të gatshme dhe mjafton ta kopjojnë prej Kosovës.

– Sa kohë u desh që të miratohej ligji për sponsorizimet?

– Ligji për sponsorizimin si çdo ligj tjetër ka procedurat e tij parlamentare, votimin e parë dhe votimin e dytë. Por te ligji për sponsorizim kishte pak vështirësi, sepse duhej të harmonizohej edhe ligjin për tatimin në të ardhura korporate dhe tatimin të ardhura personale. Dhe kjo ka marrë pak më shumë kohë në raport me ligjet e tjera.

Por debatin e parë për sportin ne e kemi organizuar në vitin 2012. Isha bashkë me kolegen Vjollca Krasniqi, kur organizuam debatin e parë për ligjin në parlamentin e Kosovës dhe ku nxorrëm disa prej rekomandimeve dhe një ndër to ishte edhe miratimi i ligjit për sponsorizim dhe ligji kundër huliganizmit. Të dy këto ligje në parlamentin e Kosovës tanimë i kemi miratuar dhe janë në funksion.

– Si u arrit kuota prej 30%?

– Lirimi në tatim–fitim prej 30% ka qenë pas një konsultimi të gjerë me komunitetin e sportit, nevojën që të rriten investimet në sport, sepse në buxhetin e Kosovës, përafërsisht llogaritej që nga tatimi në fitim hyn prej 80 deri në 90 milionë në vit dhe ky 30% është nga kjo sasi, pra mund të lirohet, të investohet drejtëpërdrejtë në sport.

Që mos të jetë si mënyra e mbështetjes dhe investimit në sport ajo që ka qenë në kohën e komunizmit ku shteti i ka investuar aktivitetet dhe klubet sportive dhe federatat. Tani jetojmë në demokraci dhe duhet që përmes ligjeve, të cilat i favorizojnë investimet në sport, pra lirimet në sponsorizim dhe mbështetja përmes reklamimit. Janë dy gjëra që ne i kemi parashikuar në ligjin për sponsorizim. Të ardhurat nga sponsorizimi janë të ardhura të patatueshme për klubin, ndërsa të ardhurat nga reklamat janë të tatueshme për klubin, për përfituesin në këtë rast.

– Si ndikoi ky ligj në sportin e Kosovës?

– Ju po e shihni që vitet e fundit ka një rritje të cilësisë dhe kualitetit në sport, pra investime dhe mbështetje të sponsorëve në klub. Kompani të rëndësishme janë lidhur me klubet kosovare dhe kanë ndikuar në rritjen e kualitetit dhe cilësisë. Pra, ai 25-30 milionë që ka shkuar drejtëpërdrejtë në arkën e shtetit dhe pastaj shteti ka vendosur se ku t’i investojë ato, tani është e drejtë e kompanive se në cilat klube dhe kë duan të mbështesin.

– Si vlerësoni ju, a do t’i vlente ky ligj Shqipërisë?

– Ne kemi marrë shembuj të mirë, edhe nga Gjermania dhe nga Kroacia. Besoj që edhe Shqipëria tani duhet ta marrë shembull Kosovën, që të ketë një mbështetje më të fuqishme për sportin. Unë uroj që edhe kolegët e mi, deputetët e parlamentit të Shqipërisë, të marrin iniciativën. Ligji ynë është një ligj i mirë, nuk ka nevojë për përkthyes, e kanë të gatshëm edhe mund t’ia përshtasin sistemit ligjor të Shqipërisë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online