Gazment Demi, presidenti i Partizanit, sigurisht që është i kënaqur me ecurinë e “demave të kuq” këtë sezon. Titulli kampion është shumë pranë dhe numri një i kryeqytetasve ka folur sot në emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH, ku ishte i ftuar.
“Puna e entuziazmit është fjalë e madhe. Barazimi ishte i merituar. Ju e dini, unë edhe fitoret 1-0 nuk është se i kam qejf shumë. Duke parë situatën, është rezultat i mirë”, tha Demi, i cili është me të kuqen (Ferrarin) edhe në Formula 1.
“Shpresoj të na mbajnë gjunjët deri nga prilli. Na mbajtën deri në mars”, thotë Demi. “Nuk jam emocional, por kam disa dëshmitarë që u thashë ne do barazojmë. Zero emocion kisha. Ekipi im më pëlqeu më shumë. Kishim 6 mungesa, ndaj një ekipi që është ende pretendent. Ekipi tregoi karakter dhe morëm atë rezultat që ishte pozitiv, por jo entuziast”.
“Çmimi i biletave? Nuk kemi pse ankohemi, ekipi organizator u cakton. M’u duk i ekzagjeruar. Edhe ne paguajmë për stadiumin prej 6 viteve, jo një vit si Kukësi. E quajnë çudi që ata luajnë jashtë, por na ka ndodhur edhe ne. Edhe të tjerët kur luajnë jashtë paguajnë. Gjithsesi është e drejta e tyre dhe nuk futem tek ajo pjesë”.
“Është shumë mirë kur je biznesmen dhe e njoh futbollin. Kemi Takajn. Me menaxhim të mirë ka arritur aty. Ai që hedh lekët edhe ndërhyn. Pastaj ka tipa të ndryshëm, dikush bën mbledhje. Presidentët janë për t’u mbajtur lart. Gjithmonë gjykohemi ne. Presidenti flet për çdo rezultat. Idealja është që të ketë lidhje presidenti me futbollin. Miku im te Durrësi është bërë më shumë se trajner. Edhe unë kam nisur të mësoj. Ka raste më thotë edhe Gega, ‘po kishe të drejtë”.
“Kërkesa e Kukësit, të dënohen tifozët e Partizanit? Sot e dëgjoj. Sjellja ka qenë korrekte, ka pasur ofendime dhe kam dërguar një person atje. Jam kundër ofendimeve. Hasani e ka shpjeguar, mendova se e kishte me mua. Këto më duken gjëra të vogla. Kemi parë edhe shishe të hedhura nga tribuna VIP. Partizani është mësuar me Disiplinë, jemi ndër më të përsekutuarit. Mendoj se acarim i momentit pre barazimit. I kemi kërkuar ndjesë. Jemi kundër, nga unë e deri tek i fundit. Veç të dalim të gjithë të bëjmë fjalime”.
“Enea Jorgji është arbitri që ka arbitruar Skënderbeun me Kukësin. Do kujtoj, që kam qenë me Gjicin. Ai ka fol për të, ,madje ma thënë që është jo vetëm i mirë, por edhe simpatik. Para disa javësh u fol për një penallti që nuk na u dha në derbi. Nuk folëm. Flitet edhe për një penallti që nuk na e dha. Për penalltinë që na e dha, vetëm të jesh qorr thua nuk është. Partizani nuk është marrë me arbitra, apo t’i takojë. Na kanë anuluar me Kukësin një gol, kur ishte Ekuban. Penalltia ishte 100 për qind”.
“I përkëdheluri juaj? Babai nuk i ndan fëmijët. Për mua janë të gjithë njëlloj, me të mirat e të këqijat. Të gjithë ata i kam njëlloj. Gentin (Selmani) e kemi pasur lojtar, di ndonjë që e kam përkëdhelur?. Na bëhet qejfi që ka dalë një portier i tillë. Nuk kishte pse rrinte rezervë te ne, Albanit nuk i zihet vendi. Edhe Dajsinanin e lamë të ikte te Skënderbeu”.
“Gega ka treguar karakter, është bashkëpunues. Në opinionin tim është shumë serioz, bashkëpunon me të gjithë. Nuk bëhet gjithçka vetëm. Ai drejton dhe komunikon, është i rregullit dhe disiplinës”.
“Kompleksi? Kur e kam nisur, ai ishte i pari. Nuk rezistohet dot pa titullin. Jam i detyruar të investoj te ekipi dhe atë e kam lënë pas dore. Biznesi nuk më ka shkuar ashtu si desha, shpresojmë të fillojmë punimet sa më shpejt”.
“Kemi qenë kritikues për drejt. Kështu e gjykojmë ne. Më vjen keq që nuk isha te takimi me kryeministrin. FSHF duhet uruar për atë takim që u bë me qeverinë. Ku është për t’u lavdëruar, e bëjmë. Shpresojmë që politika t’i mbajë premtimet. Është me rëndësi, në mënyrë që të afrohen sponsorë. Edhe për dënimet, jam kundër rrëmujave. Komisioni i ligjeve të shohë botën perëndimore. Në Angli tani nuk ka gardhe, ligji vepron kudo. Do jetë zhvillim i madh nëse do ketë lehtësime fiskale”.
“Merkato? Kam mësuar edhe unë të bëj biznes, edhe në shembullin e Korçës. Para dy vitesh ikëm në Champions, patëm interes për disa lojtarë dhe nuk shitëm. Tani kemi bërë një plan që të shesim. Po ecëm mirë deri në fund them se stafi ka bërë gjëra të bukura për të ecur më lart. Drejtori ka bërë strategji serioze”.