Nëse në të shkuarën ishim mësuar që shumicën e futbollistëve shqiptar t’i shihnim të luanin me skuadrat që nuk synonin për trofe, tashmë situata ka ndryshuar tërësisht. Shembulli i pastër vjen nga përtej Adriatikut, aty ku lojtarët kuqezinj po përjetojnë suksese të mëdha. Sot në mbrëmje do të vendoset edhe fituesi i Kupës së Italisë, por që sido që të shkojë rezultati një gjë është e sigurt, do të jetë një dorë shqiptare që do të ngrejë lart trofeun.
Njësoj si vitin e shkuar, ku në finale përballë ishin Atalanta dhe Lazio, me Berishën e Gjimshitin nga njëra anë dhe Strakosha e Tare në krahun tjetër që kërkonin të bënin të tyren Kupën e Italisë. Në fund ishte dora e Tares dhe portierit shqiptar të Lazios që do të prekte trofeun.
Dueli shqiptar vijon edhe mbërmjen e sotme. Elseid Hysaj dhe Xhakomo Vrioni do të kenë mundësinë ta nisin rifillimin e futbollit në Itali me një Kupë të rëndësishme. Megjithëse sulmuesi i talentuar shqiptar e ka të vështirë të zbresë në fushën e lojës, duke ditur që përkrahë ka emra si Ronaldo e Dibala, sërish prezenca e tij mes shumë yjeve bardhezinj e bën të tregojë se është në rrugën e duhur për të bërë një karrierë të madhe, pasi mosha e tij është vetëm 23-vjeç. Në fund të mbrëmjes do të jetë një moment i bukur për të gjithë ne kur një dorë shqiptare të ngrejë Kupën e Italisë dhe të tregohet se sa larg shkohet përtej Adriatikut./Halit Delibashi-Sport Ekspres/