Deklarata e tij habiti Olsi Ramën, presidenti i Laçit i kujton fjalët e Gjicit: Pse nuk u habite kur tha Partizani del kampion?

Deklarata e djeshme e presidentit të klubit të Laçit, do të ngjallte reagime të shumta. “Teuta, Teuta kampion“, ishin fjalët e dala nga goja e Pashkë Laskës vetëm pak ditë përpara duelit me durrsakët. Pasi ka dëgjuar këtë deklaratë, drejtori teknik i Partizanit, Olsi Rama ka shprehur habinë e tij në studion e emisionit “Skaner“.

Por ditën e sotme ka ardhur edhe reagimi i kreut të Laçit, që nëpërmjet faqes zyrtare të klubit i kthen përgjigje Ramës. Laska i kujton këtij të fundit se të gjithë kanë dëshirat e tyre, ndërsa nuk rri pa i kujtuar edhe deklaratën e Safet Gjicit pak ditë përpara se Partizani të mposhtte Kukësit me një rezultat të thellë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Reagimi i presidentit Pashk Laska:

Deklarata ime e djeshme ka ngjallur reagime të shumta, por askush nuk mund të më ndalojë të jap mendim apo të shpreh dëshira. Kam edhe unë të drejtën e fjalës, si çdokush tjetër. Në TV kam parë që është shfaqur i habitur edhe Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit. Kurioziteti im është se si ka mundësi, që arkitekti Olsi Rama nuk u habit aspak kur Safet Gjici, presidenti i Kukësit, tha dy ditë para ndeshjes me ta se Partizani del kampion. Pas asaj deklarate Partizani fitoi, madje me katër gola diferencë. Pse nuk krijohen keqkuptime kur të tjerët shprehen se Partizani del kampion dhe ekipi i tyre më pas mposhtet nga ata, duke e vërtetuar thënien në njëfarë mënyre?
President: Pashk Laska

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *