Trajneri shkodran prezantohet sot para ekipit lushnjar: Kam kujtime të bukura nga këtu. Ndeshja me Teutën më dha impakt pozitiv
Arjan Likja
Historia e stolit të Lushnjës ka marrë fund dhe që dje në të është ulur Hysen Dedja, i cili është pasardhësi i Artan Banos. Ish-futbollisti i Vllaznisë dhe ish-trajneri i shumë skuadrave në futbollin tonë, ka pasur edhe dy përvoja të mëparshme me verdhejeshilët. Fillimisht, Dedja e ka drejtuar Lushnjën në fazën e dytë të sezonit 1999-2000 dhe më pas është rikthyer në drejtim të saj në sezonin 2001-2002. Në atë kohë, president i Lushnjës ishte juristi Artur Çobani, i cili aktualisht ka një rol drejtuesi në klub, madje është nga më të rëndësishmit në aspektin profesional. Kjo koincidencë të bën të mendosh se rikthimi i shkodranit në krye të stolit të Lushnjës mund të ketë qenë propozim i koordinatorit sportiv Çobani, i marrë në konsideratë nga kryebashkiaku Fatos Tushe.
HYSEN DEDJA – Trajneri Dedja ishte dje në qytetin myzeqar, ku është takuar me nënkryetarin e bashkisë Gentian Nushi dhe me sekretarin e klubit Irakli Zaka. Të tre kanë inspektuar ambientet stërvitore, pasi dihet tashmë që ekipit verdhjeshil i mungon një fushë e mirëfilltë, duke bërë që për ndeshjet e fundit të punojë në tapetin e ri të stadiumit “Roza Haxhiu”. Trajnerit të sapoemëruar i kanë sugjeruar të vëzhgojë terrenin sportiv në fushën e fshatit Krutje, si një mundësi për ta stërvitur ekipin në vazhdim. Ndërkohë, prezantimi i trajnerit shkodran para ekipit është menduar të bëhet sot, në orën 10:00, kur Dedja do të zhvillojë seancën e parë stërvitore. Edhe dje grupi i lojtarëve është stërvitur nga Dritan Çuko, i cili do të mbahet mend si trajneri që i dha fitoren e parë në këtë kampionat Lushnjës, pas dorëheqjes së Banos. Vetë Dedja, është shprehur kështu për “Sport Ekspres”: “E pranova me kënaqësi ftesën e zyrtarëve të Lushnjës për të drejtuar këtë ekip. E kam drejtuar Lushnjën edhe më parë në dy sezone, me shkëputje, dhe me këtë ekip më lidhin kujtime të bukura në karrierën time të trajningut. Mund të them se pas Vllaznisë, Lushnja është ekipi im i dytë që kam në zemër. Për arsye familjare, nuk munda të vij ta ndjek nga afër takimin që Lushnja luajti ndaj Teutës, por e ndoqa në televizor. Ajo që pashë nuk më krijoi mundësinë e njohjes reale, por më dha impakt pozitiv për të shpresuar se mund të bëjmë gjëra të mira në vazhdim. Mund t’ju them se kemi shumë punë për të bërë dhe që nesër (sot) ekipi do stërvitet me 2 seanca. Lushnja ka si objektiv mbijetesën në Superligë dhe kam besim se do t’i dalim”.