Dedja: Kohë dhe durim, por Lushnja merr pikë në Gjirokastër

Trajneri i skuadrës verdhejeshile pranon se nuk e njeh mirë kundërshtari, por respekton. Nga të tijtë pret një debutim të suksesshëm

Arjan Likja

Shkodrani i stolit myzeqar, Hysen Dedja, ka zhvilluar dje paradite seancën e fundit stërvitore anti-Luftëtari, ku vëmendjen e kanë marrë ushtrimet me topin dhe goditjet standarde. Pas drekës, skuadra lushnjare është nisur drejt Gjirokastrës, ku sot, në orën 14:00, luan ndeshjen e javës së 9-të me ekipin vendës. Para nisjes, trajneri Dedja ka dhënë një intervistë për “Sport Ekspres”, ka kua shprehur besimin se do të debutojë me rezultat pozitiv në stolin e Lushnjës.

– Dedja, keni 4 ditë në krye të Lushnjës. Ç’mund të thoni për gjendjen e ekipit, që keni marrë përsipër të drejtoni?

– Për të njohur gjendjen reale të futbollistëve 4 ditë nuk mjaftojnë. Do të më duhet më shumë kohë për t’i testuar, por ajo që mund të them është fakti se shoh një dëshirë të admirueshme te futbollistët për të punuar dhe për të dhënë maksimumin në stërvitje. Shpresoj shumë që kjo dëshirë të jetë edhe në ndeshjet zyrtare.

– Po gjendja fizike e futbollistëve, si ju duket?

– E thashë që është herët për t’i vlerësuar, edhe në aspektin fizik. Koha e shkurtër për përgatitjen e ndeshjes ndaj Luftëtarit nuk ma ka dhënë këtë shans. Natyrisht, në të ardhmen, duke përfituar nga ndonjë ndërprerje e kampionatit, do të punoj me teste fizike dhe do të bëjmë 2 seanca stërvitore në ditë.

– Ndeshja juaj e parë si trajner i Lushnjës ndaj Luftëtarit. Si e vlerësoni këtë kundërshtar dhe çfarë synoni në Gjirokastër?

– Për të qenë i sinqertë, kisha kohë që isha shkëputur nga trajningu dhe nuk është se e njoh mirë ekipin gjirokastrit. Por, me aq sa e kam ndjekur në shtyp, e vlerësoj si një kundërshtar jo të lehtë për ta mposhtur. Lushnja nuk është mirë në klasifikim dhe në Gjirokastër shkojmë me synimin e vetëm për të marrë pikë. Edhe barazimi na bën punë.

– Cili është objektivi juaj për këtë sezon me Lushnjën?   

– E kam thënë edhe gjatë prezantimit se kam ardhur për të realizuar objektivin e qëndrimit në Superiore. Kjo është minimalja që do të kërkoj të realizoj. Pas përfundimit të gjysmës së parë të kampionatit, do të flasim sërish. E rëndësishme është  të luftojmë fort për të marrë pikë në çdo përballje. Tani jemi të fokusuar te përballja me Luftëtarin dhe nuk duhet të merremi me gjë tjetër.

Mungojnë Ruço dhe Shkullaku

Ledio Ruço dhe Hermes Shkullaku janë 2 mungesat e Lushnjës në ndeshjen e sotme në Gjirokastër. Janë shtuar kështu hallet e trajnerit Dedja për përzgjedhjen e formacionit në ndeshjen, ku ai do të debutojë në stolin lushnjar. Dy lojtarët në fjalë janë dëmtuar gjatë seancave të funt stërvitore. Ruço ka probleme me tendinën e këmbës së djathtë dhe ndoshta mund të mungojë gjatë. Pogradecari Shkullaku ka pësuar një tërheqje muskulore në kofshën e majtë dhe që dje ka udhëtuar drejt Pogradecit, ku do të kryejë vizitat mjekësore, për të vijuar më pas fazën e riaftësimit pranë familjes.

Formacioni i mundshëm i Lushnjës

Spaho – Mone, Marku, Bufasi, Byzhyti – Magani, Taullau, Gava, Pepa – Canka, Sefa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online